Baltë Mbi Shtatoren e Dëshmorit Shemsi Ahmeti

Persona të panjohur kanë përbaltur shtatoren e dëshmorit Shemsi Ahmeti të premten në orët e mbrëmjes. Shtatorja ndodhet në qendër të Mitrovicës. Policia ka nisur hetimet, ndërsa Haxhi Ahmeti thotë se po ndihet si ditën kur ia vranë vëllain.

Persona të panjohur kanë bërë me baltë shtatoren e dëshmorit Shemsi Ahmeti e cila ndodhet afër shkollës ‘Andon Zako Çajupi’ në qendër të Mitrovicës.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Avni Zaihiti, zëdhënësi i policisë në Mitrovicë.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke i kryer hetimet. Motivet dhe rrethanat e këtij akti nuk dihen ende, mirëpo dihet së kjo ka ndodhur gjatë mbrëmjes”, tha Zahiti.

Haxhi Ahmeti, vëllai i dëshmorit, tha se ndjehet pothuajse njëjtë sikur atë ditë kur ka kuptuar vdekjen e vëllait në luftë.

“Nuk e di qysh më ta pershkru se sa e rëndë qenka, të shohësh vëllain të baltosur, i cili ka dhënë jetën për këtë vend. Qenka situatë e rëndë dhe shumë e vështirë për familjarët”, tha Ahmeti.

Ndryshe, Shemsi Ahmeti ka qenë komandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës së Bajgorës gjatë luftës së fundit në Kosovë.