Avokati nuk Pajtohet me Procesin Penal Ndaj Klientit

Deçan – Në Gjykatën Themelore të Pejës, në degën e saj në Deçan, u mbajt seanca e dytë e shqyrtimit kryesor ndaj të akuzuarit Ramiz Muriqi, i cili akuzohet për veprën penale keqpërdorim të besimit.

I akuzuari, Ramiz Muriqi, ngarkohet nga Prokuroria Themelore e Pejës se në vitin 2013 kishte keqpërdorur autorizimin e përfaqësimit lidhur me shitblerjen e pronës së paluajtshme të dëmtuarës, Sllobodanka Radunoviç, e cila sot nuk ishte prezente në seancë.

Prokurori i rastit Ardian Hajdaraj, në fjalën hyrëse deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, ndërsa, avokati i palës mbrojtëse, Bekë Lajçi, para gjykatës deklarojë se çështja për të cilën është ngritur aktakuza nuk do të duhej të zhvillohen në procedurën penale, sepse sipas tij, kontesti është i natyrës civile.

Avokati Bekë Lajçi shtoi së gjykata me pranimin e kësaj aktakuze ka shkelur parimet themelore të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjyqtari i rastit Sulltan Dobraj, tha së aktakuza e cila është ngritur është e bazuar në prova dhe fakte të nxjerra në mënyrë ligjore.

Avokati i palës mbrojtëse kundërshtoi në tërësi aktakuzën dhe kundërshtimi i tij u refuzua nga gjyqtari i rastit.

Pas përfundimit të seancës, Bekë Lajçi, avokati i palës mbrojtëse, tha për Kallxo.com se akuza nuk është në përputhje me ligjet.

“Në rastin konkret, një akuzë e tillë për pos që bije ndesh me Kodin e procedurës penale, krye këput bie ndesh me nenin një të protokollit numër katër të Konventës Evropiane mbi të drejtat e njeriut e cila shprehimisht dhe qartë garanton se nuk mund të ketë ndonjë proces penal apo ndonjë gjykim penal apo ndonjë dënim penal kundër një personi i cili nuk ka qenë në gjendje ta përmbushë një detyrim kontraktual”, tha Lajçi.

Sipas tij, çështja nuk mund të jetë e karakterit penale por civil.

“Pra çështja është e karakterit juridiko-civil, ngase zonja Sllobodanka Radunoviç, pikërisht për sasinë e borxhit të mbetur Agron Kelmendit ka nisë procedurë pranë Gjykatës Themelore në Pejë që është në zhvillim e sipër për kompensim të borxhit”.

Seanca u shty derisa aktvendimi mbi pranimin e aktakuzës të marr formën e prerë.