Avokati i Popullit Ende Pret Ta Heq Qafe Qiranë

Deri në fund të këtij viti Institucioni i Avokatit të Popullit pritet t’i japë fund qëndrimit në objekte me qira.

Zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike kanë bërë të ditur se ky institucion i pavarur, po pret të vendoset në një ndërtesë publike.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Zeqir Bekolli, tha për KALLXO.com se Avokati i Popullit, bashkë me të punësuarit e këtij institucioni, pritet të vendoset në objektin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pas lirimit të këtij objekti nga stafi aktual i GJKK-së.

Sipas tij, kjo pritet të ndodhë në fundi të këtij viti.

Avokati i Popullit, institucion i pavarur për t’u kujdesur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut kur ato pretendohet se janë shkelur nga ana e institucioneve, ka funksionuar tash e disa vjet në një ndërtesë private, pasi selia e mëparshme e tij ishte privatizuar.

Në fakt, vendimi për akomodimin e Avokatit të Popullit në ndërtesën aktuale të Gjykatës Kushtetuese ishte marrë dy vjet më parë, por vendimi nuk ka mundur të zbatohet për shkak se shtëpia e re e Gjykatës Kushtetuese, Pallati i Drejtësisë, nuk është vënë ende në funksion.

“Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) më 12.12. 2012, ka pranuar një vendim nga Ministria e Administratës Publike,  të nënshkruar nga ministri Mahir Yagcilar, që mban datën 11.12.2012, përmes të cilit na është kumtuar saktësisht  se Institucionit të Avokatit të Popullit, i jepet në shfrytëzim objekti në të cilin është e akomoduar Gjykata Kushtetuese”, tha zëdhënësja e Institucionit të Avokatit të Popullit, Majlinda Lulaj- Sinani.