Avokatët Kërkojnë Super-Ekspertizë në Gjykimin e Bankierëve

Avokatët e tetë ish-punonjësve të Bankës “BpB” të pakënaqur me ekspertizën e Riza Blakajt kërkuan super-ekspertizë.

Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër tetë të akuzuarve për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme, kryetarja e trupit gjykues tha që iu kishte dërguar prokurorit dhe avokatëve mbrojtës nga një kopje të plotësimit të ekspertizës së ekspertit.

Eksperti Riza Blakaj që bëri ekspertizën për rastin e ish-punëtorëve të Bankës “BpB”, dy herë e plotësoi ekspertizën e tij.

Prokurori pasi bëri disa pyetje për plotësimet në ekspertizë, tha se i mbetet besnik variantit të saj të parë, pasi sipas tij plotësimet nuk kanë ndryshuar gjendjen bazë.

Por avokatëve mbrojtës nuk u pëlqyen plotësimet në ekspertizë, për të cilat shumica i dhanë vërejtjet në formë të shkruar.

Ata propozuan një super-ekspertizë që do të bëhej nga tre ekspertë.

Hazër Susuri, avokat i Zylfi Arifajt propozoi që në dy dokumente të vërtetohet nëse janë ose jo të nënshkruara nga klienti i tij.

Në plotësimet dhe përmirësimet e ekspertizës Blakaj kishte korrigjuar edhe shifrat për keqpërdorimin e të cilave akuzohet Zylfi Arifaj.

Prokurori kundërshtoi kërkesat e avokatëve për superekspertizë dhe ekspertizë grafologjie që vërteton nënshkrimet, me arsyetimin se mbrojtësit e të akuzuarve duan vetëm të zvarrisin procesin gjyqësor.

Në këtë proces gjyqësor akuzohen Nazmi Mustafa, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka, Serafedin Zhitia, Zylfi Arifaj dhe Pashk Bala.

Seanca e radhës u caktua më 14 tetor 2015.