Avancimet që Nuk Avancojnë

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka thënë në emisionin Jeta në Kosovë se problemi kryesor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është vetë rektori Ramadan Zejnullahu.

Madje Dugolli sjelljen e rektorit e ka cilësuar si autoritarizëm dhe arrogancë.

“Problemi kryesor është rektori, i cili me një autoritarizëm, me një arrogancë, me një jorespekt tenton ta udhëheq në mënyrë diktatoriale një institucion publik”, tha Dugolli.

Bllokimin e avancimeve në Senat ai thotë se e ka bërë rektori dhe stafin e tij dhe jo senatorët.

“Ne nuk e kemi bllokuar Senatin. Ju tash jeni duke e bllokuar tash e pesë herë Senatin dhe po e ndërpreni në mënyrë të paligjshme”, thotë Dugolli gjatë debatit në emisionin Jeta në Kosovë, të moderuar nga Muhamet Hajrullahu.

Prorektorja për mësimdhënie, Eda Vula, tha gjatë emisionit se ngërçi i avancimeve në Senat po ndodh për shkak të mosrespektimit të kritereve të Statutit të UP-së.

“Ngërçi ndodhi pikërisht për shkak të mosrespektimit të kritereve të Statutit të UP-së”, tha Vula.

Vula habitet me vlerësimet e Komisioneve recensuese dhe të Këshillave të fakulteteve, sepse ajo thotë se ka pasur raste që kanë propozuar kandidat për avancim që nuk ka asnjë punim shkencor.

Fetah Podvorica, prorektor për hulumtime shkencore në UP, thotë se rektori është i obliguar që ta respektojë ligjin.

“Sa i përket ndërprerjes, Rektori Zejnullahu ka përgjegjësi para ligjit dhe ai e ka bërë të qartë se ai nuk e vë në votim propozime të cilat bien ndesh me tri nenet e kritereve të Statutit (175, 176 dhe 177). Që të respektohet ligji ai e ka për obligim”, thotë prorektori Podvorica.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Musli Bajraktari, thotë se rangimin më lartë të universitetit do të duhej ta bënin punimet shkencore të profesorëve universitarë

“Një ndër kriteret për t’u ranguar UP-ja është që stafi akademik të publikojë sa më shumë punime shkencore”, thotë Bajraktari.

Ai thotë se ka paqartësi në interpretimin e kritereve të Statutit të UP-së për thirrje shkencore.

Për më tepër, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” më 14 janar 2015 shpalli konkursin për zgjedhjen e stafit akademik në UP.

Nga ajo kohë e deri më tash nuk ka arritur të përmbyllet ky proces. Komisionet vlerësuese nëpër fakultete dhe Këshillat e fakulteteve i kanë filtruar kandidatët, dhe pothuajse pjesën më të madhe të kandidatëve i kanë propozuar për avancim. Këto propozime kanë shkuar në Komisionin e Studimeve, i cili pastaj ka vendosur t’i shqyrtojë një nga një kandidatët nëse i kanë plotësuar kriteret.

Shqyrtimi i këtij lloji ka rezultuar me refuzimin e pjesës më të madhe të atyre kandidatëve që janë shqyrtuar deri më tani. Kjo për shkakun se nuk i kanë plotësuar kriteret që kërkohen me Statutin e UP-së për avancim, gjegjësisht nenet 175, 176 dhe 177.

Pjesa më e madhe e senatorëve kërkon që fjalën e fundit për avancime ta thonë anëtarët e Senatit duke i hedhur në votim edhe propozimet e Komisionit të Studimeve dhe Këshillave të fakulteteve.

Por rektori e ka hedhë në votim vetëm propozimin e tij, gjegjësisht të Komisionit të Studimeve, që nuk mori asnjë votë nga anëtarët e Senatit, por nuk i hodhi në votim propozimet e Këshillave të fakulteteve.

Kjo ka bërë që rektori t’i ndërpriste disa herë mbledhjet e Senatit. Çështja ende është pezull.