Ashensori i Lëshon Katër Punëtorë në Pallatin e Drejtësisë
Katër punëtorë të Gjykatës së Apelit janë lënduar derisa ndodheshin në një ashensor, kur ky mjet i ka lëshuar ata.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi administratori i Gjykatës së Apelit Feriz Berisha.
“Lifti i ka lëshuar katër persona që kanë qenë të hipur në të. Këta punëtorë janë: Kadri Avdiu, Sanije Nebihu, Makifete Saliuka dhe Fiknete Hoti,” tregoi administratori Berisha.
Ai bëri me dije se tre nga këta punonjës janë dërguar në QKUK në Prishtinë.
Pranimin e të lënduarve në QKUK e tregoi edhe mjeku kujdestar Emrush Pireva.
Pireva tha se punonjësit e Gjykatës së Apelit erdhën me lëndime të lehta trupore pas përplasjes që u kishte ndodhur në ashensorin e Pallatit të Drejtësisë.
Pallati i Drejtësisë që nga hapja e tij ka pasur probleme të njëpasnjëshme.
Më 26 shkurt edhe uji depërtoi në një pjesë të këtij pallati.
Ky pallat kushtoi mbi 30 milionë euro, 26.1 nga të cilët janë dhënë donacion nga BE-ja.