Asamblistja e Partisë në Pushtet Punësohet Pa Konkurs

Asamblistja e Nismës në Malishevë Floriana Demaj është punësuar pa konkurs si mësimdhënëse në Gjimnazin “Hamdi Berisha”.

Asamblistja do të japë histori në këtë gjimnaz, ndërsa moshapjen e konkursit për orët e saj e pranon edhe drejtori i Arsimit në Malishevë Blerim Thaçi.

Thaçi shpjegon se asamblistja Demaj është intervistuar në konkurset e mëhershme.

“Kanë qenë pjesë e intervistimit të konkurseve që kanë qenë në fundvitin shkollor, që i kemi pasë në korrik-gGusht dhe sistemimi i tyre është bë konform asaj pjese, të klasave që janë shtuar,” thotë Thaçi.

Asamblistja e “Nismës” Floriana Demaj nuk deshi të flasë para kamerës për KALLXO.com, por mohoi se është punësuar pa konkurs.

“Nuk është e vërtetë se jam pranuar pa konkurs, pasi kam qenë duke punuar edhe vitin e kaluar, ndërsa tash vetëm jam sistemuar,” tha asamblistja Demaj.

Opozita në Komunën e Malishevës thotë se pushteti lokal punësimet partiake po i bën për të përmbushur agjendën e partisë në pushtetpo e shkatërron arsimin.

“Kjo [punësimi i asamblistes] atëherë e tregon nivelin se deri ku ka arrit kjo qeverisje dhe ku po synon të arrijë, duke rehatuar njerëz partiakë vetëm e vetëm që t’i krijojë favore në agjendën e subjektit të tyre politik,” thotë Bekim Gashi nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Malishevë.

Izet Morina nga PDK-ja thotë se qeverisja Begaj nga punësimet partiake dhe ato pa konkurs po e shkatërron arsimin në Malishevë.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për problemet në arsimin e Malishevës.