Asambleja e Malishevës Po e Lyp Fajtorin për Gjendjen në Arsim

Në seancën e jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale në Malishevës, këshilltarët komunalë kanë diskutuar për problemet në arsim në këtë komunë, pas protestave disaditëshe të arsimtarëve të larguar nga vendet e punës.

Seanca ishte vazhdim i ditës së premte, ku ishte vendosur, që mbledhja e së hënës të jetë e mbyllur për qytetarë dhe media.

Ky ishte propozim i asamblistëve të Nismës,  i votuar edhe nga asamblistët e LDK-së, me përjashtim të Sami Kafexhollit, ndërsa kundër mbylljes votuan PDK-ja dhe “Vetëvendosje”.

Ndërsa të hënën, këshilltarët i ranë pishman asaj që kishin vendosur të premten dhe e shfuqizuan këtë, duke lejuar prezencën e arsimtarëve dhe mediave.

Izet Morina, asamblist nga PDK-ja, pasi numëroi shkeljet e pretenduara ligjore të kryetarit të komunës, Ragip Gegaj, të njëjtit i bëri thirrje që të ndërhyjë dhe t’i ndalë parregullsitë dhe të këqijat që po ndodhin  në Drejtorinë e Arsimit.

“I bëj thirrje kryetarit të komunës Ragip Begaj dhe kërkoj nga ju si institucion më i lartë që të ndërhyni menjëherë me ndaljen e këtyre padrejtësive dhe shkeljeve ligjore në Drejtorinë e Arsimit, pikërisht për çështje politike”, tha Morina.

Muhamet Bytyqi, asamblist nga “Vetëvendosja”, tha se arsimit në komunën  e Malishevës i është bërë një dëm shumë i madh me konkursin e fundit.

Ai tha se është kritikuar PDK-ja gjatë qeverisjes së kaluar komunale, por kjo aktualja është edhe më keq pasi që, sipas tij, janë punësuar familjarë e të afërm me politikën.

“Është kritikuar PDK-ja a në fakt është vepruar më zi sesa PDK-ja në të kaluarën, për shkak se janë të njëjtit njerëz, që kanë qenë në PDK dje, e sot kanë një mantel tjetër të veshur, por sinqerisht është për keqardhje se çka janë duke i bërë arsimit në komunën e Malishevës”, tha Bytyqi.

Në këtë seancë u ngrit edhe çështja e largimit nga PDK-ja të drejtorit aktual të Arsimit, Blerim Thaçit. Kjo nxiti debat mes drejtorit dhe asamblistit të PDK-së Izet Morina. Krejt debati u bë jashtë foltores së asamblesë, kur drejtori ishte duke dalë nga asambleja.Video DEBATI Drejtor PDK)

Por, LDK-ja, nuk ishte kritike si partitë tjera. Megjithatë, ata shfrytëzuan rastin dhe kritikuan qeverisjen e PDK-së se si është marrë me largimin e arsimtarëve të LDK-së, në kohën e tyre. Sipas tyre, tash gjendja është më mirë, duke krahasuar kohën e PDK-së.

“Kjo parti duhet ta kuptojë dhe duhet me qenë me pak e zëshme”, tha Jonuzi i LDK-së.

Drejtori i Arsimit i hodhi poshtë të gjitha akuzat e PDK-së dhe LVV-së, duke thëne se çdo kush që i ka plotësuar kushtet është punësuar.

“Të gjithë ata kandidatë që kanë qenë në këtë konkurs, që i kanë plotësuar kriteret, për vendin e punës, janë punësuar”, tha Thaçi.

Ndërsa kryesuesi i asamblesë Enver Morina, ia kujtoi PDK-së gjendjen se si ka qenë arsimi në kohën e tyre. Sipas tij, alkooli ka qenë pjesë e nxënësve dhe mësimdhënësve në kohën e PDK-së.

“Pijet dhe alkooli vazhdimisht kanë qenë pjesë e drejtorisë, pijet dhe alkooli kanë qenë pjesë e nxënësve, e drejtorëve dhe mësimdhënësve nëpër kafenetë tona. Gjithë Malisheva e di”, tha Morina.

Por arsimtarët që ishin prezentë në sallë nuk u ndanë të kënaqur me debatin që u zhvillua.

“Këta po japin mbështetje në diçka që është e drejtë themelore elementare e një njeriu, ne atë të drejtë e dimë, mirëpo e dimë edhe që pushteti i tanishëm është në shkelje ligjore”, tha një arsimtar i pranishëm në publik.

Megjithatë, në këtë seancë nuk u mor asnjë vendim.