As Avokatët e as Apeli nuk e Konfirmojnë Lirimin e Salih Mekajt

Zyrtarë të Gjykatës së Apelit dhe mbrojtësit e kryetarit të kësaj gjykate të arrestuar muajin e kaluar, Salih Mekaj, nuk kanë mundur t’i konfirmojnë raportimet nëse atij i është hequr masa e arrestit shtëpiak për ta lënë të lirë në pritje të ngritjes ose jo të një aktakuze.

KALLXO.com kontaktoi të gjitha palët, duke përfshirë, zëdhënësin e Gjykatës së Apelit dhe avokatët mbrojtës të dyshuarve.

Koha Ditore raportoi sot se Apeli ka marrë një vendim për lirimin e Mekajt nga arresti shtëpiak, por avokati i Sali Mekajt, Destan Rukiqi i kontaktuar për KALLXO.com tha se ende nuk ka njohuri për këtë vendim.

“Unë ende nuk kam marrë asnjë informacion lidhur me vendimin e Apelit lidhur me ankesën tonë”, tha Rukiqi.

Informacione lidhur me lirimin nga masa e arrestit shtëpiak nuk pati as avokati i Vlora Goranit, Naim Rudari.

“Unë nuk kam marrë kurrfarë vendimi, dhe nuk jam në dijeni që është vendosur për lirimin e tyre edhe pse mendoj se do të ishte një vendim i drejtë”, tha Rudari.

Përpos avokatëve të dyshuarve, informacione lidhur me vendimin nuk pat as vet zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Nuk jam në dijeni, që është marrë një vendim i tillë”, tha zëdhënësi Jashari.

Mekaj është arrestuar më 20 korrik nën dyshimin se ka kryer veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrimit të ndikimit.

Më 19 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte vazhduar Mekajt dhe Goranit arrestin shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.