Arrestohet Personi që Kërkonte Para në Emër të Kryeprokurorëve
D.Z nga fshati Shosht i komunës së Vitisë është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për mashtrim. Ai dyshohet se mashtroi dajën e tij, duke e dëmtuar për rreth 25.000 euro. I arrestuari sipas Prokurorisë së Gjilanit kërkonte para në emër të ish-kryeprokurorit Ismet Kabashi dhe ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Sylë Hoxhës.
Arrestimin e konfirmoi edhe Arben Ismajli, shef i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë e Gjilanit.
“Sot është arrestuar D. Z. nga Vitia. Ai dyshohet për veprën penale mashtrim”, tha Ismajli.
Sipas Ismajlit, i dyshuari i kishte thënë dajës së tij se kishte raporte të mira me Ismet Kabashin, e po ashtu me misin e shtetit të Togos.
“Dajës i ka thënë se mundemi me bë punën që me lidhë kurorë me misin e Togos, sepse e njëjta ka pasuri milionëshe edhe mundesh me trashëgu nga kjo pasuri, e për këtë e kemi Ismet Kabashin, i cili mundet me na ndihmu”, bëri me dije Ismajli.
Sipas Ismajlit D.Z. kishte hapur edhe një e-mail në emër të Ismet Kabashit.
“Ai përmes këtij e-maili kishte kontaktuar me të dëmtuarin, kinse është Ismet Kabashi”, deklaroi Ismajli.
Ai tha se i dyshuari kishte paraqitur fakte të rreme duke përpiluar vendime të gjykatës Kushtetuese të Togos dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në emër të Enver Hasanit.
Për këtë D. Z. ka të ngritur akuzë nga Prokuroria e Prishtinës nën dyshimin e falsifikimit të dokumenteve, shpjegoi zyrtari i prokurorisë gjilanase.
Sipas Ismajlit i dyshuari kishte kërkuar para edhe në emër të Sylë Hoxhës , i cili aktualisht është ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit.
“D. Z. nga i dëmtuari ka kërkuar 1.000 euro me arsyen se ai mundet të na ndihmojë rreth rastit – akuzës që ka ngritur Prokuroria e Prishtinë”, shtoi Ismajli.
Ai njoftoi se nesër do t’i paraqet kërkesë gjykatëspër paraburgimin prej 30 ditësh të të akuzuarit.