Arrestohet i Dyshuari për Vrasje në Tentativë

Një i akuzuar me inicialet B.L, i moshës 33 vjeç, është arrestuar sot në Ferizaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Këtë e bëri të ditur policia e Ferizajit në një komunikatë për media. Sipas policisë, rasti ka ndodhur në datën 8 nëntor 2015, në rrugën “Ismet Ramadani” në Ferizaj. Sipas tyre, i dyshuari kishte therur me thikë dy viktimat, me inicialet A.L. 35 vjeçar dhe A.L. 28 vjeçar, duke iu shkaktuar plagë të rënda trupore.

Me urdhër të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa vepra e kryer është rikualifikuar nga “lëndim i rëndë trupor” në “vrasje në tentativë”.

Për shkak të lëndimeve të marra, viktimat janë duke u trajtuar në QKUK në Prishtinë.