Arrestohen Tom Doshi dhe Mark Frroku

Pasi parlamenti i dha prokurorisë dritën jeshile në seancën plenare të së enjtes, policia e Tiranës ka arrestuar deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku të akuzuar për dëshmi të rreme.

Deputeti Mark Frroku u arrestua në një lokal në pronësi të familjes së tij, ndërkohë që Doshi u ndalua në shtëpinë e tij në Tiranë.

Autorizimi për arrestimin e deputetit Doshi, kërkuar nga Prokuroria ka marrë në Kuvend 80 vota nga deputetët e maxhorancës të pranishëm në sallë, me të cilët u bashkua edhe demokratja Mesila Doda.

Ndryshe kërkesa për Mark Frrokun ka pasur edhe një abstenim nga radhët e deputetëve të pranishëm në sallë.

Në një deklaratë në rrjetin social Facebook, në pasditen e së enjtes Doshi përsëriti se kishte thënë të vërtetën, dhe se arrestimi i tij ishte i motivuar politikisht.

“Kam thënë të vërtetën për porosinë e vrasjes ndaj meje nga Kryetari i Kuvendit,” u shpreh Doshi. “Nuk më vranë dot, dhe tani po përpiqen të më burgosin politikisht,” shtoi ai.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi të premten Kuvendit të autorizonte kërkesën për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, pas hetimit 3-javor mbi deklaratat publike të zotit Doshi se kryetari i Kuvendit Ilir Meta kishte paguar një vrasës me pagesë për eliminimin e tij dhe të deputetit Mhill Fufi.

“Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”,  parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të dy deputetët janë përfshirë së fundmi në një çështje ligjore të ngritur fillimisht nga Tom Doshi, i cili, më 2 mars 2015, deklaroi publikisht se kishte marrë informacion nga Mark Frroku për një tentativë për vrasje ndaj tij dhe një deputeti të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Sipas Doshit, porositësi i atentatit është kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Meta mohon akuzat.

Frroku ka mohuar gjatë kësaj kohe të ketë qenë personi që ka informuar Doshin për tentativë vrasjeje duke pretenduar se e ka marrë vesh ngjarjen vetëm nga deklarata e Doshit më 2 mars.

Neni 305 i kodit penal parashikon që Kallëzimi i Rremë mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet. Neni 312/aparashikon që “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë” dënohet me gjobë deri në 3 vjet burgim.

Neni 305/a parashikon gjobë deri në një vit burgim.

Përfundimisht, të dy deputetët rrezikojnë dënim nga gjobë deri në 5 vjet burg.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore, krijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë, e cila shton se “në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami”.

reporter.al