Arrestohen të Dyshuarit për Vjedhje Portofolash

Katër persona janë arrestuar të mërkurën në tregun e veturave të Prizrenit, nën dyshimin për vjedhje portofolash nga qytetarët.

Policia ka vepruar pasi dy qytetarë në dy raste të ndara kishin paraqitur rastet e vjedhjes së portofolave  të tyre, ku në njërin kishte edhe një kartelë bankare.

Hetuesit policorë në bashkëpunim me disa qytetarë, kanë arritur ta identifikojnë një grup të organizuar i cili operonte në tregje dhe vende të ndryshme ku frekuentojnë shumë prizrenas.

“Gjatë kontrollimit të të dyshuarve, te njëri është gjetur kartela bankare e cila ishte vjedhur pak më parë dhe e njëjta është sekuestruar në cilësi të provës materiale. E njëjta do t’i kalojë prokurorisë së shtetit për procedura të mëtejme hetimore”, tha kapiteni Hazir Berisha.

Mëtutje Berisha, njoftoi se po ashtu edhe sasia e parave të gjetura te të dyshuarit, është e njëjtë me vlerën të cilën e kanë paraqitur në polici dy viktimat e rastit.

Të kapurit sipas policisë janë përsëritës të veprave penale.

“Vlen të theksohet se i dyshuari i parë A. Maxhuni, sipas Bazës së të Dhënave Policore rezulton te jetë i përfshirë në vjedhje dhe vepra tjera penale mbi pesëmbëdhjetë herë. Po ashtu, edhe i dyshuari i dytë A. Orllani, rezulton me tri vjedhje paraprake dhe P. Fazliu me katër raste, kryesisht vjedhje e veturave. Ndërsa i katërti, rezulton pa raste kriminale”, deklaroi Berisha.

Katër të dyshuarve u është caktuar arresti policor prej 48 orësh në konsultim me prokurorin e shtetit.