Arrestohen se nuk e Paguan Fletëpagesën në Spitalin e Pejës

Janë sulmuar dy punonjës të Spitalit Regjional të Pejës. Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zyrtari për media i policisë në Pejë Teki Syla.

“Ka ndodhur rreth orës 21 mbrëmë, policia ka qenë prezent në Spital dhe i ka arrestuar dy persona. Me vendim të prokurorit pas intervistimit ata janë liruar”, tha Syla.

Drejtori i Spitalit Skender Dreshaj tregoi se si kishte ndodhur ngjarja.

“Kanë qenë dy pacientë që kanë kërkuar shërbim por kanë refuzuar të paguajnë letrën e participimit. Atëherë ka ardhur te një fjalosje me një teknik dhe portierin”, bën të ditur Dreshaj.

Sipas tij, në Spital ishin të angazhuar dy policë nga Shërbimi Policor i Kosovës edhe menjëherë kanë ndërhyrë.

“Nuk ka pasur ndonjë konflikt fizik, por biseda me tone të larta”, shtoi Dreshaj.

Policia e cilëson rastin si prishje të rendit dhe qetësisë publike.