Arrestime për Protestën

Policia thotë se ka arrestuar një person, ndërsa “Vetëvendosja” njofton për arrestimin e dy aktivistëve.

Sipas Policisë së Kosovës arrestimi lidhet me protestat e 18 nëntorit.

“Është arrestuar një person që ndërlidhet me rastin e protestave të dhunshme dhe ka qenë në kërkim nga policia,” tha për KALLXO.com Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Ai bëri të ditur se ndaj të arrestuarit janë duke u marrë masat e nevojshme.

Por në një komunikatë të Lëvizjes “Vetëvendosje” thuhet se janë arrestuar dy aktivistë të saj.

“Sot Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë të LVV, Veron Hasanin dhe Durim Elshanin….Këto veprime të policisë janë të qëllimta, ato synojnë të provokojnë situatën në mënyrë që të sabotohet manifestimi madhështor e paqësor që do të mbahet më 28 nëntor kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi,” thuhet në komunikatën e LVV-së.

Por Daut Hoxha tha se ata njëherë për njëherë kanë informata që vetëm një aktivist është arrestuar.

“Nëse ka arrestime të tjera, do ju informojmë me kohë,” sqaroi Hoxha.

“Vetëvendosja” në komunikatë foli edhe për policinë.

“Policia po vepron në mënyrë jotransparente, duke arrestuar pa fletë-arrest, duke mos bërë me dije se si po trajtohen të arrestuarit, apo cilët janë ata,” thuhet në komunikatë.

17 të arrestuarve gjatë protestës së 18 nëntorit u është caktuar paraburgim prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë.