Arratisen nga Spitali të Dyshuarit e Përgjakjes së Ferizajt

Pas skandalit ku eprori i policisë plagosi tre persona në  fshatin Prelez të Ferizaj dhe incidentit të ndërlidhur ku familjarët e të lënduarve sulmuan policinë, policia është duke u përballur me një problem të radhës.

Dy nga të dyshuarit për sulmin ndaj policëve në Spitalin e Ferizajt janë arratisur pak minuta pas ngjarjes.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thanë për KALLXO.com se dy nga të dyshuarit kanë arritur të ikin nga duart e policisë.

“Gjatë intervenimit për t’i vënë nën kontroll të dyshuarit në Spitalin e Ferizajt njëri nga ta është arratisur”, ka thënë Majori Basri Shabani, zëvendëskomandant i Stacionit Policor në Ferizaj.

Shabani ka sqaruar se i dyshuari tjetër është arratisur nga QKUK-ja në Prishtinë ku ishte dërguar për një tretman mjekësor.

Shabani tha se kanë nisur hetimet për mënyrën se si ka ndodhur arratisjet ndërsa zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) të cilët janë duke hetuar këtë rast konfirmuan se kanë arrestuar dy persona njëri nga të cilët është zyrtar i Policisë së Kosovës.

Ndërsa për arratisjen e të dyshuarve të tjerë zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka  thotë se janë duke pritur raportet e hetimeve.