Amerikani që Ndihmoi në Hartimin e Kushtetutës Shpjegon “Grupin më të Madh Parlamentar”

Në një intervistë ekskluzive për emisionin Jeta në Kosovë, gjykatësi amerikan John Tunheim lë të kuptohet se fryma e Kushtetutës së Kosovës lejon bashkimin e deputetëve në grupe parlamentare për të formuar grupe dhe për të funksionuar si të tillë.

Gjatë vitit 2007 dhe një pjesë të vitit 2008, Tunheim ka qenë këshilltari kryesor dhe ekspert i angazhuar nga USAID-i në Komisionin  për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Sipas meje, grup parlamentar është ai grup që punon bashkë në parlament, por Gjykata Kushtetuese e ka përkufizuar ndryshe këtë term, sipas interpretimeve të saj mbi partitë dhe koalicionet politike dhe regjistrimit të tyre. Në mendimin tim, grupi parlamentar është grupim brenda Kuvendit”, tha gjykatësi Tunheim kur u pyet se si do ta përkufizonte termin “grupi më i madh parlamentar”, në cilësinë e personit që ka ndihmuar hartimin e Kushtetutës

Në këtë intervistë, gjykatësi Tunheim foli edhe për vendimin e parë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga, për vendimin e dytë të kësaj gjykate në kërkesën e PDK-së, për atë çka nënkupton “shumica parlamentare” për gjykatësin Tunheim si dhe për dyshimet që anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë të afërt me PDK-në dhe janë parë duke u takuar me zyrtarë të lartë të kësaj partie, para marrjes së vendimit të Gjykatës.