Alarmi i ‘rrejshëm' që alarmoi sistemin e drejtësisë

Mëngjesin e djeshëm, një telefonatë drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës vuri në alarm Policinë dhe njësitet intervenuese të saj.

Kjo pasi që telefonata ishte me përmbajtje kërcënuese dhe alarmuese duke shtuar se bëhej fjalë për një bombë të vendosur në dy objekte atë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

Me të marrë informatën nga ana e drejtuesve të KGJK-së, Policia  menjëherë rrethoi me shiritat ngjyrë të verdhë në të cilën shkruhet “Policia, mos kaloni shiritin” rrugën “Luan Haradinaj”, rruga në të cilën gjenden institucionet kryesore të Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe Prokuroria Speciale.

I gjithë personeli në dy objektet që ishin cak i kërcënimit ishte evokuar, ndërsa po fillonte edhe intervenimi në objektin e parë.

Deri sa pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese së bashku me njësinë e qenve të cilët janë të trajnuar për të zbuluar objekte shpërthyese, po kontrollonin çdo cep të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Komandanti i Stacionit Policor në Prishtinë, Shkelzen Xhafa dha edhe informacionet e para për rastin.

“Rreth orës 10:30 stacioni policor qendra ka marrë një thirrje telefonike për dyshim të mundshëm për mjet eksploziv në dy ndërtesa në rrugën Luan Haradinaj. Kemi dalë në vendin e ngjarjes, kemi evakuuar gjithë personelin që ka qenë brenda dhe i kemi thirr gjitha njësitë relevante të cilat merren më këto raste të kërcënimeve”, ka thënë Xhafa.

“Për momentin jemi në procedim e sipër  po presim që  njësitë relevante ta kryejnë punën e vet, e pastaj Policia do të dalë me një deklaratë gjithëpërfshirëse. Për momentin nuk ka ndonjë të dyshuar,  vetëm një kërcënim përmes një telefonate  e kemi pranuar. I kemi dy ndërtesa të shënjestruara , njësitë janë duke evakuuar objektet”, Shkelzen Xhafa nga Policia e Kosovës.

Gjatë asaj kohe, në vendin e dyshuar ishte edhe Prokurori Special, Sylë Hoxha. Ai nuk pranoi që të prononcohej për media dhe vazhdoi drejt stacionit policor më saktësisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Pas disa më shumë se një orë kërkim në objektin ku gjendet Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia së bashku me njësinë e qenve dolën nga objekti, duke mos gjetur asnjë mjet të dyshuar si bombë.

E pas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, radha ishte të kontrollohej edhe objekti i dytë i dyshuar, ai i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Edhe në këtë objekt kontrollimi filloi me njësinë e qenve dhe të tjerët përkatës për më shumë se dy orë.

Deri sa po kontrollohej objekti, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu dha sqarime për telefonatën dhe përfshirjen e prokurorisë në këtë telefonatë.

“Sot në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë pranuar një telefonat ku kanë marrë një kërcënim dhe telefonatën e njëjtë kanë thënë edhe Këshillin Gjyqësorë dhe Gjykatën Speciale. Ne kemi marrë një kërcënim që ka të bëjë më Prokurorinë Speciale për shkak të sigurisë janë evakuuar i gjithë stafi”, ka deklaruar Lutfiu.

Pas disa orësh kontrolle nga ana e njësive relevante, të gjithë njësitet dolën nga objekti i Prokurorisë duke mos gjetur asnjë mjet shpërthyes as në këtë objekt, derisa nuk folën as për media për ndonjë gjë të tillë.

Në fund, policia e Kosovës deklaroi se për informata më të hollësishme do të njoftojnë përmes një komunikate për media.

Deri më tani nuk dihet nëse policia ka arrestuar personin që kërcënoi me bombë këto dy institucione si dhe nëse është gjetur ndonjë mjet i dyshimtë. Po ashtu nuk dihen as arsyet e këtij kërcënimi.

Në lidhje me këtë situatë, të frustruar e të frikësuar ishin edhe qytetarët që nuk ju lejohej lëvizja e lirë në atë pjesë.

Për më shumë se katër orë që po kontrolloheshin të dyja objektet qytetarët insiston të kalonin në vendin e ngjarjes, por se nuk u lejuan nga ana e policisë.