Aktivitetet Komunale për ‘Ditën Ndërkombëtare të Tokës’

Më rastin e shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Tokës’, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga organizata joqeveritare Green Art Center dhe Qendra për Teknologji Informative “ASSECO”.

Më këtë rast, Kryetari Shpend Ahmeti  mbolli fidane në “Fushën e Pajtimit”, vend ky i cili më parë ishte shndërruar në deponi ilegale të mbeturinave.

Ai tha se pastrimi i ambientit dhe ruajtja e tij nuk është vetëm detyrë e shtetit, por obligim i çdo qytetari.

“Ne duhet ta rrisim sensibilizimin për mbrojtjen e ambientit, jo vetëm sepse është diçka pse Evropa e kërkon nga ne, jo pse na vijnë ambasadorët dhe na thonë se duhet ta bëni Kosovën më të pastër, por edhe ngase kjo është e rëndësishme për shëndetin tonë”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Ambasadorja e Finlandës, Anne Meskanen, apeloi te politikanët kosovarë të angazhohen për të investuar në politikat e mbrojtjes së ambienti.

“Ka nevojë të madhe për një fushatë vetëdijësuese për mbrojtjen e ambientit”, tha ajo.

Për më tepër, gjatë ditë së sotme në sheshin “Zahir Pajaziti” u prezantua  kompostimi në lagje, mekanizmi për trajtimin e mbeturinave organike si dhe një mori aktivitetesh në funksion të “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”.

Aktivitet për këtë ditë ka pasur edhe në Gjakovë. Për nder të ‘Ditës Botërore të Tokës’, ka filluar fushata “Ta Pastrojmë Gjakovën”, e cila është organizuar nga kjo Komunë.

Më këtë rast, Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka apeluar që të ketë sa më shumë vullnetarë për pastrim të ambientit.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të vetëdijësohen për ta mirëmbajtur mjedisin ekologjik.

“Ju apeloj që kjo të mos jetë një muaj, apo dy muaj si fushatë e këtij aksioni, por në mënyrë permanente të kujdesemi për natyrën tonë në aspektin ambiental”, apeloi  Kusari-Lila.

Tri parqe të qytetit të Gjakovës dhe oborri i Shkollës Fillore “Kelmend Rizvanolli” janë pastruar dhe mbjellë fidane.