Aktakuzë ndaj ish-Ushtarit Serb për Vrasje dhe Keqtrajtim

Ish-ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Sekula Babiq u akuzua për vrasje, grabitje dhe vepra të tjera penale kundër civilëve boshnjakë në Glamoc në jugperëndim të Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 1992.

Zyra e prokurorit të shtetit të premten ngriti një padi kundër Babiqit duke e akuzuar atë për krime lufte kundër popullsisë civile në komunën e Glamocit në gusht 1992.

Sipas prokurorisë, ai mori pjesë në vrasje duke shkaktuar vuajtje fizike dhe psikologjike dhe duke plaçkitur dhe shkatërruar pronën e civilëve joserbë në Glamoc.

Sipas aktakuzës, Babiq mbërriti në një shtëpi në Glamoc ku kishte katër civilë boshnjakë, përfshirë edhe një fëmijë me qëllim për t’i vrarë ata.

Ai e vendosi pushkën automatike në dritare dhe hapi zjarr, duke vrarë një grua të moshuar, tha zyra e prokurorit.

Në rrugën midis fshatrave Kamen dhe Jakir, Babiq së bashku me trupat e tjera të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, ndaloi një grua të moshuar boshnjake me të cilën ata abuzuan fizikisht dhe e cila më pas vdiq nga plagët e marra.

Sipas zyrës së prokurorit, Babiq dhe dy ushtarë të tjerë serbë të Bosnjës gjithashtu shkuan në shtëpinë e një civili boshnjak në Jakir, ku gjetën djalin e tij të vogël dhe abuzuan fizikisht dhe mendërisht me të, ndërsa i akuzuari e mori në pyetje dhe i kërkoi atij para, të cilat djaloshi ua dha ushtarëve.

Aktakuza iu kalua gjykatës shtetërore boshnjake për konfirmim.