AKR-ja Shpërndan Libreza të Anëtarësisë në Podujevë (TV)

Qershor 01, 2014 – Aleanca Kosova e Re ka vazhduar të shtunën fushatën zgjedhore me një tubim në një restoran në Podujevë, ku të pranishëm ishin ministrat Ibrahim Makolli dhe Fadil Ismajli.

Kandidati i AKR-së për deputet, Ibrahim Makolli, njëherësh ministër i Diasporës, tha se para rritjes së pagave Kosova ka nevojë për më shumë vende pune, edhe pse Makolli para disa muajsh kishte votuar vetë pro vendimit të qeverisë për rritjen e këtyre pagave.

Këtë tubim e hapi kandidati për deputet dhe kryetari i AKR-së në Podujevë Bashkim Statovci cili u kërkoi qytetarëve që ta votojnë atë dhe AKR-në.

Në fund dy ministrat bënë edhe shpërndarjen e librezave të anëtarësisë për anëtarët e rinj që iu bashkuan AKR-së. Sipas zyrtarëve të AKR-së të shtunën kësaj partie iu bashkuan 200 anëtarë të rinj, ndonëse gjatë tubimit Makolli dhe Ismajli shpërndanë vetëm 4 kartela.

Një simpatizant i moshuar i AKR-së, i pranishëm në këtë tubim, tha se nëse kjo parti del fituese ai pret rritje të pensioneve.