AKK: Rektori Zejnullahu nuk Gjendet në Konflikt Interesi

Ramadan Zejnullahu, i cili më 2 shtator 2014, është zgjedhur rektor i Universitetit të Prishtinës, sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, nuk gjendet në konflikt interesi.

AKK ka dalë me këtë opinion, pasi në votimin e Zejnullahut ka marrë pjesë edhe Blerim Kamberi, i cili është burri i motrës së gruas (baxhanaku) i rektorit Zejnullahu.

“Burri i motrës se gruas (baxhanaku), nuk cilësohet si i afërt me zyrtarin, dhe nuk mund të quhet si lidhje familjare, pasi që Ligji për Parandalimin e Konfliktit te Interesit nuk e njeh si kategori ligjore që hyn në afërsi me zyrtarin e lart”, thuhet në opininin e AKK të publikuar të premten pasdite.

Në këtë opinion, thuhet se bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Blerim Kamberi (baxhanaku) në cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së, nuk bën pjesë në listën e kategorizuar të zyrtarëve të lart publik.

AKK vlerëson se edhe sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, burri i motrës së gruas (baxhanaku), nuk është cilësuar se mund te jetë personi i cili mund të shkaktojë veprën penale të konfliktit të interesit, pasi që “nuk hyn në listën e personave të afërsisë familjare”.

Sipas AKK-së, konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë,  ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik.

AKK thotë se person i afërt me zyrtarin e lart  publik janë bashkëshorti ose personi që bashkëjeton, të afërmit në vijë të drejtë të gjakut pa kufizime, të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt, adaptuesi, i adaptuari, në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë.