Agim Hoti Dënohet për Dy Tentim-Vrasje ndaj Anton Berishës

Agim Hoti është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për dy vrasje të mbetura në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ai akuzohej se në bashkëkryerje me katër persona tjerë në vitin 2007 kanë tentuar ta vrasin Anton Berishën që në atë kohë ishte drejtor i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit.

Për të njëjtat vepra Agim Hoti qe dënuar me 14 vjet e 6 muaj burg në një proces gjyqësor ku akuzohej për dy tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, bashkë me Agron Haradinajn, Mentor Qelën, Driton Spahiun dhe Artan Nimanin.

Pas ankesës së mbrojtjes së tij në Gjykatën Supreme, lënda e Hotit është kthyer në rigjykim, ndërsa vendimi për katër të tjerët është bërë i ekzekutueshëm.

Supremja kishte kërkuar ekzaminim psikiatrik të Hotit, ndërsa kjo ekspertizë ishte përpiluar më 1 dhjetor 2014.

Seanca e parë e rigjykimit ishte mbajtur më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kurse në të kryetarja e trupit gjykues duke treguar se kishte pranuar ekspertizën psikiatrike të Hotit, bëri me dije se në ekspertizë thuhej se në kohën e sulmeve kundër Anton Berishës aftësia mendore e Hotit ishte esencialisht e zvogëluar.

Prokuroria ngarkonte Agim Hotin dhe 4 persona të tjerë se më 28 shkurt dhe me 12 prill të vitit 2007 kishin tentuar ta vrasin Anton Berishën.

Në seancën e 20 shkurtit 2015 Hoti kishte pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohej, duke shprehur keqardhje për atë që kishte ndodhur.

Në fjalën përfundimtare të prokurorit të mbajtur pesë ditë më vonë më 25 shkurt 2015, prokurori pranimin e fajësisë dhe keqardhjen e të akuzuarit e mori si rrethanë lehtësuese, ndërsa si rrethana rënduese përmendi kryerjen tri  veprave penale në bashkëkryerje.

Trupi gjykues e dënoi Agim Hotin me 11 vjet e gjashtë muaj burg.

Me këtë vendim nuk u pajtua Gani Rexha, avokati i Agim Hotit. Ai kur foli për KALLXO.com paralajmëroi ankesë ndaj vendimit.

“Dënimi unik 11 vjet e 6 muaj mbrojtja konsideron se është shumë i ashpër në krahasim me rrethanat lehtësuese të cilat gjenden në anën e të akuzuarit. Veprat penale i ka kryer në gjendje psikike esecialisht të zvogëluar, se e pranoi në tërësi fajësinë, u pendu thellësisht për krimet e bëra… Gjykata themelore nuk i ka vlerësuar sa duhet dhe ne do të ankohemi kundër këtij aktgjykimi,” tha Rexha.