Agim Bahtiri lë Zyrën në Mitrovicë, Vjen në Kuvend për Trepçën

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri gjatë ditës së hënë ka qenë i pranishëm në ambientet e Kuvendit të Kosovës për të parë nga afër zhvillimet për Ndërmarrjen Trepça.

Bahtiri tha për media se ndërmarrja Trepça asnjëherë nuk do të jetë e privatizuar.

“Ardhja ime këtu nuk është pa peshë. Trepça asnjëherë nuk do të privatizohet por do të jetë ndërmarrje publike. Këtë e di edhe Mitrovica që Trepça do të jetë ndërmarrje publike”, tha Bahtiri.

I pyetur se a ndjehet i zhgënjyer nga zhvillimet e sotme për ndërmarrjen ‘Trepça’, Bahtiri tha se zhvillimet e sotme janë “veprime teknike”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në orët e mëngjesit ishte takuar me  drejtuesit e ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava dhe Ibush Jonuzi me të cilët kishte biseduar për domosdoshmërinë pengimit të likuidimit të Trepçës.