Administrata e UP-së Pezullon Grevën, Pret Formimin e Qeverisë

Greva e punëtorëve të administratës së Universitetit të Prishtinës është pezulluar për kohë të pacaktuar.

Sipas grevistëve kjo është bërë për shkak të rrethanave të krijuara në formimin e qeverisë si dhe në mungesë të funksionimit të Kuvendit të Kosovës.

Punëtorët e administratës së UP-së kishin hyrë në grevë në muajin mars pasi kërkonin që t’u njihet statusi i tyre si shërbyes civilë e po ashtu edhe rritjen e pagës në bazë të koeficientit që kanë dhe punës që kryejnë krahasuar me degë të tjera jashtë UP-së.

Ata pas dhjetë dite e kishin pezulluar grevën deri me datën  20 qershor pasi dy pika të kërkesës së tyre nuk ishin realizuar. Ndërsa njoftimin për pezullim të mëtejshëm të grevës e dhanë të mërkurën.

Sipas, Vera Ahmeti- Sopit nga Këshilli Organizativ, zgjidhja e problemit të grevistëve nuk varet vetëm nga rektorati i UP-së por edhe nga Qeveria e Kosovës. Prandaj, ajo tha se grevistët e kanë parë të udhës që greva të pezullohet edhe më tej.

“Duke marrë parasysh rrethanat të cilat janë krijuar, universiteti nuk mund ta bëjë zgjedhjen e problemit i vetëm prandaj ka qenë arsyeja më e madhe që me vazhdu pezullimin e grevës”, tha Ahmeti-Sopi në konferencën për shtyp që u mbajt në Fakultetin Filozofik.

Sipas saj, janë dy kërkesa të drejtuara në rektorat të cilat nuk janë realizuar ende.

Në rast të mosplotësimit të kërkesave, ajo paralajmëroi se këshilli grevist  do t’i drejtohet gjykatës.

Njëra kërkesë thotë që punëtorët e administratës të paguhen nga 20 cent për çdo provim që mbahet pasi profesorët për të njëjtën gjë paguhen nga 60 cent. Sipas Këshillit Organizativ të grevistëve kjo është një padrejtësi pasa ata e bëjnë punën më të madhe sesa profesorët në kohën e provimeve.

Ndërsa kërkesa tjetër për të cilën thonë grevistët se nuk u është realizuar, ka të bëjë me kërkesën që punëtorëve të administratës së UP-së t’u njihet statusi i shërbyesve civilë, pasi që ngritja e pagave që ishte bërë në vitin 2010 për 30 për qind për shërbyesit e administratës publike nuk i kishte përfshirë edhe punëtorët e administratës së UP-së.