80 mijë Euro për Renovimin e Laboratorit të Spitalit në Pejë

KALLXO.com konsiderohet partner për raportimin për gjendjen e mëparshme dhe gjatë punimeve në laborator

Sot në Spitalin Regjional të Pejës është bërë përurimi i punimeve në repartin e Laboratorit.

KALLXO.com raportoi në maj të këtij viti për gjendjen e mjerueshme të mureve në këtë repart.

Pas këtij raportimi, Drejtoria e Spitalit premtoi që brenda pak muajsh do shihen ndryshimet në vendin ku bëhen analizat e pacientëve.

Por, me të filluar punimet, përveç mureve të dëmtuara, kanë dalë edhe punë tjera shtesë në këtë investim.

Rreth 80 mijë euro ka qenë kostoja e investimit në rinovimin e repartit të Laboratorit, ku është bërë instalimi i rrjetit të ri elektrik, i kanalizimit, ujësjellësit dhe ndërhyrje tjera të nevojshme.

Me të përfunduar ky investim, drejtori i Spitalit Regjional të Pejës, Skender Dreshaj, tha për KALLXO.com se tani reparti i Laboratorit në Spitalin e Pejës është model për spitalet tjera publike.

Dreshaj tha se krahas gjendjes së mëparshme, kanë ndryshuar tërësisht kushtet për pacientët e këtij repartit dhe personelin e tij.

Kreu i spitalit tha se përveç këtyre punimeve, reparti do të ketë edhe një aparaturë të re biokimike e cila do rrisë cilësinë e punës.

Drejtori i Spitalit shtoi se KALLXO.com ka qenë partner i rëndësishme në realizimin e këtij projekti me raportimin për gjendjen e mëparshme dhe vazhdimin e punimeve.

“Falënderoj ‘Jetën në Kosovë’ [KALLXO.com], të cilët prej fillimit i kemi pasur partner në realizimin e këtij projekti, qoftë me sugjerime të tyre, po ashtu edhe me kritikat e arsyeshme po edhe me kritikat pozitive. Mendoj që edhe kontributi dhe angazhimi i tyre edhe në fazën e realizimit ka rezultuar edhe me kualitetin e punës edhe në përmbylljen e përgjithshme të punëve në këtë repart”, tha Dreshaj për KALLXO.com.

Ai theksoi se janë duke investuar edhe në disa reparte tjera në mënyrë që të krijohen kushte sa më të favorshme për shërbim cilësor.

Sshefi i repartit të Laboratorit, Adem Çeku, tha për KALLXO.com se ky repart në Spitalin Regjional të Pejës, pranon me së shumti pacientë krahas spitaleve tjera publike. Ai shtoi se pas renovimit të repartit të Laboratorit, cilësia do të jetë dukshëm më e mirë se para disa muajsh.

“Kushtet tash i kemi fenomenale, sikurse po shihen. Është bërë një investim i mirë dhe funksional që besojmë se do mundësojë që edhe më tutje ne të jemi në krye të detyrës”, tha Çeku.

Drejtuesit e spitalit kanë bërë të ditur se reparti i Laboratorit do kompletohet brenda disa ditëve dhe do jetë në shërbim të qytetarëve.