30 Ditë Paraburgim të Dyshuarit për Terrorizëm

Samet Imshiti, të arrestuarit të djeshëm nën dyshimet për terrorizëm i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.

“Për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 3 paragrafi 4 të Ligjit për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë Territorit të Vendit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë  (30) ditëve ndaj të pandehurit,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Neni 3, pika 4 e këtij ligji dënon ata që me çfarëdo mjeti të komunikimit nxisin rekrutimin në ushtrinë, osepolicinë e huaj, mbledhin fonde për këtë gjë, ose marrin pjesë në ushtrinë, ose policinë e huaj.

Dënimi për veprat e përcaktuara me këtë nen e këtë pikë sillet nga 5 muaj deri në 5 vjet.

Imshiti ishte arrestuar nga policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të ditës së djeshme, ndërsa  sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“ I pandehuri S. I, dyshohet se në mënyrë publike përmes rrjetit social, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale, kështu që i njëjti nga vitit 2013 e në vazhdimësi në rrjetin social Facebook ka bërë komente dhe publikime të hapura, propagandë, nxitje të urrejtjes, duke përkrahur hapur ideologjinë ekstreme të organizatës terroriste ISIS,” thuhej në komunikatën e lëshuar nga policia pas arrestimit të Imshitit.

“Imshiti u arrestua gjatë një operacioni të policisë të kryer në një fshat të Hanit të Elezit dhe është realizuar pas hetimeve disamujore të ndërmarra nga Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Sektorin Kundër Terrorizmit, në kuadër të Divizionit të Hetimeve Gjenerale dhe Operacioneve Speciale të qarkut të Brescias, Itali,” vijonte komunikata.

Plani i përbashkët ishte koduar me emrin “Van Damme” dhe ka përfshirë kontrolle në një lokacion në Kosovë, si dhe në tri lokacione tjera në Itali.