205 Mijë Nënshkrimet “Në Dorë” të Presidentes

Partitë opozitare dorëzuan te Presidentja peticionin me 205 mijë e 254 nënshkrime të qytetarëve kundër asociacionit dhe demarkacionit.

Peticioni u dorëzua nga Glauk Konjufca i “Vetëvendosjes”, Pal Lekaj i AAK-së dhe Valdete Bajrami e Nismës.

Valdete Bajrami tha se peticioni po i dorëzohet Presidentes ngase ajo përfaqëson unitetin e popullit.

“Është kërkesë e 205 mijë qytetarëve që këto marrëveshje të mos gjejnë zbatueshmëri në vendin tonë dhe si të tilla janë të papranueshme qoftë për opozitën, qoftë për qytetarët e Kosovës,” tha Bajrami.

Glauk Konjufca peticionin kundër marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel e Vjenë më 25 e 26 gusht e konsideroi më masivin në Kosovë.

“Është peticioni më masiv ndonjëherë i organizuar në Republikën e Kosovës, peticioni i 205 mijë e 254 qytetarëve të Kosovës të cilët e kanë vendosur nënshkrimin e tyre kundër marrëveshjeve me Serbinë,” deklaroi Konjufca.

Deputeti Pal Lekaj nga radhët e AAK-së foli edhe për manifestimin e 28 nëntorit.

“Qeveria është e interesuar që të dështojë i gjithë manifestimi në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe i paraprin kësaj që tregon një shqetësim të vetin e jo të qytetarëve, andaj ne jemi të vendosur që të jetë manifestim gjithëpopullor për të kundërshtuar dy marrëveshjet që i bëjnë dëm Kosovës,” tha Lekaj.

Më 31 tetor opozita futi nënshkrimet e peticionit në Kuvend për të mbajtur një konferencë për shtyp rreth tij.