19 Vjeçarja nga Peja Humbi Betejën Ndaj Kancerit të Lëkurës

Vajza 19 vjeçare nga Peja, Agnesa Kondirolli, ka ndërruar jetë natën e mbrëmshme. Ajo vuante nga melanoma malinje një lloj i kancerit të lëkurës.

Agnesa që vuante nga një lloj i kancerit të lëkurës, së fundmi i ishte nënshtruar kimioterapisë.

Në Pejë dhe në mbarë Kosovën, qe bërë organizim i madh për të nëpërmjet rrjeteve sociale që të ndihmohet ajo për ta vazhduar këtë betejë.

Përveç ndihmës nga qytetarët, ajo kishte marrë mbështetje financiare edhe nga Ministria e Shëndetësisë për terapinë e saj.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se Ministria e ka mbështetur financiarisht sigurimin e terapisë së shtrenjtë për pacienten Agnesa Kondirolli me 28 mijë euro.

“Fatkeqësisht diagnoza e sëmundjes prej të cilës vuante ajo është e rëndë dhe mbetet ende problem shumë sfidues për shkencën e mjekësisë” u shpreh Hoti për KALLXO.com.

“MSh ngushëllon familjarët për këtë rast dhe shpreh keqardhje të thellë që përkundër angazhimeve të familjes, institucioneve dhe humanitetit të treguar edhe nga qytetarët për ta përkrahur, e ndjera nuk e ka mbijetuar sëmundjen e rëndë”, tha Faik Hoti.

Agnesa njihej si njëra ndër nxënëset më të dalluara ne Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë. Ajo ishte duke studiuar për Kimi Inxhienierike por për shkak të sëmundjes ajo u detyrua t’i lë prapa studimet.

Në ditët e fundit të jetës, ajo kishte shkruar në profilin e saj në Facebook se ajo do t’i mundë dhimbjet e kancerit dhe se “ato kishin ardhë te personi i gabuar”, ndërsa e falënderonte shoqërinë për përkrahjen e dhënë.

“Shoqëria e vërtetë nuk të lë ta luftosh kancerin e vetme”, kishte shkruar Agnesa Kondirolli.

Varrimi i të ndjerës bëhet sot në varrezat e qytetit në Pejë.