11 Rekomandime për Qeverinë Mustafa

Grupit për Studime Juridike e Politike dhe Institutit GAP, qeveria e re me tre zëvendëskryeministra, 21 ministra, mbi 50 zëvendësministra, 170 këshilltarë politikë e dhjetëra nëpunës të kabineteve dhe shoferë, u duket e paarsyeshme dhe jo e nevojshme.

Këto dy organizata të shoqërisë civile prezantuan të martën 11 rekomandime për Qeverinë Mustafa.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se këto rekomandime po bëhen në mënyrë që programi qeverisës të ketë objektiva konkrete dhe të jetë i matshëm në suksesin dhe dështimin e tij.

Sipas tij, nëse kjo nuk ndodh Kosova do të përfundojë në një sistem ku nuk mund të matet asgjë për shkak të programit abstrakt dhe shumë sipërfaqësor.

Korenica i dha theks faktit që kjo qeveri ende nuk ka program qeverisës, prandaj shfaqi shpresën se rekomandimet mund të merren prej saj.

“Kjo qeveri ende nuk ka një program qeverisës të detajizuar gjë që e ka premtuar se do ta bëjë në muajin janar. Kurdo që ta bëjë, ne i kërkojmë qeverisë që t’i adresojë këto objektiva që ne ua kemi propozuar”, tha Korenica.

Nga ana tjetër Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP tha se rekomandimet po bëhen me qëllim që të parandalohen praktikat e mandatit të kaluar.

“Kryeministri duhet të bëjë publike të gjitha vendimet për emërim të zëvendësministrave.

Të publikohen vendimet për të gjitha pagat e punonjësve të qeverisë duke filluar nga kryeministri e tutje”, tregoi disa nga rekomandimet Demi.

Grupi për Studime Juridike e Politike dhe Instituti GAP kërkuan edhe aprovimin e Ligjit për Pagat e Zyrtarëve Politikë, i cili nuk është miratuar që nga viti 2008.

Qeveria duhet të mbajë dhe të publikojë një regjistër publik të automjeteve të cilat shfrytëzohen nga zyrtarët qeveritarë, veturat e zyrtarëve politike duhet të pajisen  me GPS, duhet të bëhet publikimi  i të gjitha thirrjeve telefonike dhe kostoja e tyre, rekomandojnë dy organizatat.

Ato kërkojnë edhe raportimin për drekat zyrtare, udhëtimet, përdorimin e kartelave për shpenzime dhe po ashtu edhe dërgimin për aprovim të ligjit i cili kufizon numrin e posteve ministrore.

Edhe nëse nuk do të merren parasysh rekomandimet e tyre, përfaqësues nga GAP-i dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike thanë se do ta mbikëqyrin punën e qeverisë.

Me ditët e saj të para thanë se janë shumë të zhgënjyer.