Përleshje fizike në kuvendin e LDK-së në Koshare, një person dërgohet në QKUK

Një përleshje fizike ka ndodhur sot në fshatin Koshare të Ferizajt gjatë mbajtjes së një tubimi të LDK-së.

Në këtë rrahje janë përfshirë disa persona, por janë arrestuar vetëm katër prej tyre.

Si pasojë e lëndimeve në sy, njëri nga personat është dërguar në QKUK për intervenim.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtari i Policisë së Ferizajt, major Mehmetali Hajdini.

“Sot rreth orës 18:40 kemi marrë një informatë që është duke ndodhur një rrahje në një shkollë në fshatin Koshare, ku ka qenë duke u mbajtur kuvendi zgjedhor i LDK-së. Derisa ka shkuar Policia të gjithë ishin shpërndarë. Nuk ka qenë askush. Pastaj Policia ka zhvilluar hetimet dhe ka identifikuar disa persona që kanë marrë pjesë në rrahje”, tha eprori i Policisë.

Sipas zyrtarit, katër persona janë shoqëruar në stacion dhe janë duke u intervistuar. ndërsa një dyshohet se është dërguar në Prishtinë për intervenim në pjesën e syrit.

Ai shtoi se megjithatë ende janë duke vazhduar hetimet, me dyshimin se në këtë incident janë përfshirë më shumë se katër persona.

“Prezent ne këtë rrahje ka qenë edhe kryetari aktual i degës Muharrem Svarqa. Ne jemi duke i zhvilluar ende hetimet sepse po dyshohet që në këtë rrahje kanë marrë pjesë më shumë se katër persona”, tha Hajdini për KALLXO.com.

Një incident i tillë kishte ndodhur edhe në një degë të Mitrovicës javë më parë në kuvendin zgjedhor të LDK-së.

https://kallxo.com/perleshje-fizike-ne-degen-kryesore-te-ldk-se-ne-mitrovice/

www.kallxo.com