Ilustrim

Përleshja brenda PDK-së në Raushiq, intervistohen dy persona

Dy persona janë intervistuar nga ana e Policisë në lidhje me përleshjen e cila ka ndodhur dy ditë më parë gjatë kuvendit zgjedhor të PDK-së, në Raushiq të Pejës.

Lajmin e konfirmoi për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Nikçi tha për KALLXO.com, se pas intervistimit personat janë liruar pasi ka rezultuar se nuk ka pasur ndonjë vepër penale.

“Gjatë monitorimit të mediave, kemi hasur në ketë informacion, ku menjëherë prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës për të marr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast se a kemi të bëjmë me prishje të rendit dhe qetësisë publike apo ndonjë vepër penale eventuale. Pas ndërmarrjes se veprimeve të nevojshme të policisë dhe intervistimit të dy personave ka rezultuar se nuk ka pasur vepër penale gjatë një tubimi partiak të mbajtur në fshatin Raushiq të komunës së Pejës”, tha Nikçi.

KALLXO.com, raportoi dje për përleshjen e cila ka ndodhur gjatë kuvendit zgjedhor të PDK-së në këtë fshat.

Sipas burimeve të KALLXO.com, gjatë këtij kuvendi zgjedhor L.V. ka sulmuar fizikisht bashkëfshatarët, duke hedhur karrige e duke sharë, përkundër që aty kishte edhe gra.

E gjithë ngjarja shihet në pamjet që i ka siguruar KALLXO.com.

Sipas dëshmive, ai sulmon edhe një person me emrin Qaush.

KALLXO.com merr vesh se fjala është për Q.M., një anëtar i AAK-së, i cili kishte shkuar në këtë tubim.

Megjithatë, nuk ka informacione për ndonjë të lënduar.

Një anëtar i PDK-së, i pranishëm në tubimin e djeshëm zgjedhor, tha për KALLXO.com se nuk ka pasur ndonjë përleshje a kacafytje, por vetëm fjalosje.

Sipas të njëjtit, procesi zgjedhor në nëndegën e Raushiqit është ndërprerë për shkak të mospajtimeve ndërmjet anëtarëve për mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve.

KALLXO.com merr vesh se L.V. ka qenë i përfshirë edhe më herët në një incident në këtë nëndegë.

Atëherë kishte ndërhyrë edhe Policia.

L.V. dhe A. F. dyshohej se ishin përleshur me Sh.K.

Poashtu, KALLXO.com merr vesh se L.V. është i afërt me nënkryetarin e partisë, Xhavit Haliti, dhe rikandidimi i tij nuk është pritur mirë nga anëtarët dhe strukturat e PDK-së në Raushiq.

Përleshje në një degë të PDK-së, ndodhi edhe në Pejë, pak kilometra nga Raushiqi.

Mirëpo, aty rezultoi me prangosjen e një personi i cili me urdhër të Prokurorit është ndalur për 48 orë.