Përjashtohet Prokuroria në Gjykimin për Vrasje

Përveç njoftimit të gjykatës për përjashtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren nga ky gjykim, seanca u shty, ngase mungoi prokurori i ri nga Prokuroria Themelore e Gjilanit që mori këtë rast.

Përjashtimin e prokurorisë së Prizrenit nga ky rast e kërkoi më 8 dhjetor të vitit të kaluar Halil Bala, përfaqësuesi i familjes Avdylaga.

http://kallxo.com/kerkohet-perjashtimi-i-prokurorise-ne-rastin-e-vrasjes-ne-prani-te-policise/

Avokati Ramë Dreshaj përshëndeti përjashtimin e prokurorisë nga rasti i rrahjes që përfundoi me një vdekje dhe një plagosje.

“Përjashtim i prokurorisë është bë mirë që është, vetëm për hir të së vërtetës, pasi që nga fillim hetimet kanë shkuar mbrapsht, duke këkruar provat me ekskavator,” tha Ramë Dreshaj.

Në seancën e caktuar për sot mungoi edhe i akuzuari Veli Abdylaga. Për mungesën e tij gjykatën e kishte njoftuar me shkresë dhe sot në seancë avokati i tij Ramë Dreshaj.

Dreshaj tha se i mbrojturi i tij është për shërim në Gjermani dhe pritet që t’i nënshtrohet një operacioni, por bëri të ditur se gjykatën do ta njoftojë me kohë për pjesëmarrjen apo jo të të akuzuarit në seancën tjetër.

Mungesa e Veli Abdylagës nxiti reagimin e avokatëve të të akuzuarve Skender e Shpend Berisha që po mbahen në paraburgim.

“Kam përshtypjen se mbrojtësit e familjes Avdylaga me qëllim po dëshirojnë me zvarritë procedurën, me qëllim që ky shqyrtim me zgjatë sa më shumë, kur e dimë se i mbrojturi im është në paraburgim, përndryshe gjykata ta ndajë procedurën ndaj tij, ose në të kundërtën deri sa të vazhdoj shqyrtim t’ia ndërpresë paraburgimin Skender Berishës,” tha Et’hem Rugova, avokati i Skender Berishës.

Anëtarët e familjeve Berisha e Avdylaga filluan një përleshje masive mes tyre më 29 qershor të vitit të kaluar, edhe pse policia ishte e pranishme ende pa nisur konfrontimi fizik. Nga kjo përleshje ku u përdorën edhe armët vdiq Qamil Avdylaga, ndërsa u plagos njëri nga policët që shkoi për ta penguar rrahjen.

Skender dhe Shpend Berisha ndodhen në paraburgim që nga 30 qershori i vitit të kaluar. Seanca e ardhshme u caktua me 26 shkurt.