Përfundojnë xhirimet e filmit 'Në kërkim të Venerës'

Kanë përfunduar xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë artistik “Në kërkim të Venerës” me regji dhe skenar të Norika Sefës dhe me producent Besnik Krapi, bën të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi.

Filmi përcjell përjetimin e Venerës, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi takon shoqen e saj të re Dorinën.

Ky përjetim e bën atë të marrë guximin dhe t’i revoltohet familjes së saj tradicionale.

Xhirimet e filmit janë realizuar kryesisht në komunën e Kaçanikut dhe kanë zgjatur 30 ditë.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj, Bleon Monolli etj.

Realizimi i filmit “Në kërkim të Venerës” është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë dhe Komuna e Kaçanikut.