Përfaqësuesi i Veteranëve të UÇK-së vendos ta lërë Kosovën

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi, përmes një publikimi në Facebook ka treguar se ka aplikuar për vizë dhe se do të lërë Kosovën.

Ai në publikim ka thënë se shpresat për një jetë më të mirë ën Kosovë janë shuar.

“Sot aplikova për termin për vizë drejt perëndimit, vitin e ardhshëm po besoj po ecim prej Kosovës tonë të dashur. Shpresat për një jetë më të mirë këtu, tashmë përfundimisht janë shuar”, ka shkruar Qeriqi në Facebook.

Qeriqi ka thënë për KALLXO.com se ka shumë arsye pse ai do të jetojë jashtë shtetit të Kosovës.

“Unë kam aplikuar për një vizë pune në Gjermani, besoj se deri në vitin tjetër do të kem një përgjigje, po them vitin tjetër sepse sipas informatave që m’i dhanë në ambasadë tashmë një numër i madh i qytetarëve janë duke pritur për vizë. Arsyet se pse mendoj të jetoj jashtë Kosovës janë zhgënjimi im nga situata e fundit e krijuar në Kosovë”, ka deklaruar Qeriqi.

Qeriqi ka thënë se ën Gjermani do të ndihmohet nga bashkëluftëtarët e tij për gjetjen e vendit të punës.

“Nuk është e rëndësishme për mua që vetëm unë të kem, e të tjerët jo, jam shumë i pakënaqur me gjendjen e përgjithshme në Kosovë, atje ka edhe punë të lehta, të cilat unë mund t’i punojë, në pastrimin e objekteve ose në bujqësi”, shtoi ai.