Prezantimi i raportit të "Transparency International" | Foto: KDI

Perceptim i Lartë për Korrupsion dhe i Ulët për Ryshfet

“Barometri Global i Korrupsionit” i hartuar nga “Transparency International” dhe i prezantuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vë në dukje se zyrtarët qeveritarë e deputetët me 46 për qind dhe gjyqtarët me 40 për qind shihen si personat më të korruptuar në Kosovë.

Anketat me qytetarë nga të cilat u krijua ky barometër u bënë në periudhën dhjetor 2015-mars 2016, ndërsa në Kosovë u përfshinë 1 mijë e 500 të anketuar.

Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se barometri është hartuar para publikimit të përgjimeve të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të PDK-së.

Këto biseda u publikuan në Portalin Insajderi nga gushti deri në shtator.

Canhasi tha se kjo aferë “kemi vërejtur që ka ndikuar në masë të madhe në perceptimin e opinionit publik për korrupsionin”.

Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është njëri nga kushtet që Kosova duhet të plotësojë për liberalizim të vizave.

Për dallim nga korrupsioni që të anketuarit e konsiderojnë njërin nga problemet kryesore që po luftohet dobët nga qeveria, ata kanë perceptim tjetër për ryshfetin.

Vetëm 10 për qind të të anketuarve në Kosovë vlerësuan që kishte ryshfet kur u desh të kryejnë shërbime bazike. Kjo shifer është shumë më e lartë në disa vende të rajonit si Shqipëria e Bosnja dhe Hercegovina.

Përveç për Kosovën, Barometri Global i Korrupsionit” është hartuar edhe për 41 vende tjera të Evropës dhe Azisë.

Më herët gjatë ditës BIRN-i raportoi për perceptimin e korrupsionit në vendet e Ballkanit, sipas raportit të “Transparency International”.

http://kallxo.com/kosova-bosnja-e-kroacia-me-te-trazuarat-nga-korrupsioni/

 

Redaktoi: Bekim Muhaxheri