Pamje nga seanca e gjykimit për vrasjen në "Bon Vivant" - Foto: KALLXO.com

Për Vrasjen në ‘Bon Vivant’ Dëshmojnë Tre Policë

Në gjykimin e Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, të cilët akuzohen për vrasjen e Rrahman Ukës më 13 tetor 2014, dëshmuan tre zyrtarë policorë: Adem Lutfiu, Eshref Beqiri dhe Albert Zogiani.

Polici civil, Albert Zogiani, i dha trupit gjykues një pasqyrë të qartë se si kishte arritur ta identifikonte të akuzuarin Masar Gërdovci në mes të turmës dhe si e kishte arrestuar atë.

“Dy hapa pa e shkelë korzën, derisa vija poshtë rrugës “Qamil Hoxha”, te “Pishat”, kam dëgjuar një të shtënë shumë të vogël, e që realisht nuk më ka ngjarë në ndonjë armë. Për një moment kam parë grumbull njerëzish, që vinin nga drejtimi i rrugës “Rexhep Luci”. Jam ndalë dhe e kam fiksuar turmën e njerëzve vizualisht. Në grumbullin e njerëzve ishte edhe një person me pantolla të verdhë dhe jakne të zezë. Nga perceptimi im profesional ikja e tij nuk ishte e zakonshme. Gjatë ikjes shikonte edhe mbrapa dhe kishte pengesë në këmbën e majtë. Shikimi im u fiksua vetëm në atë person. Kam pritur edhe pak dhe e kam përcjellë”, tha Zogiani.

Sipas dëshmitarit, ajo çfarë e kishte shtyrë ta përcillte të dyshuarin ishte sjellja e tij jo e zakonshme në krahasim me turmën.

“Personin e vërejta pasi i njëjti është futë në hapësirën e korzës, larg meje ishte dikund rreth 4-7 metra në maksimum. Fytyrën e këtij personi e kisha ballë për ballë. Në duar nuk ka pasur asgjë ndërsa në krah ka pasur një çantë të vogël ngjyrë të zezë. Jam tërhequr në qoshin e rrugës dhe e kam përcjellë. Ka vazhduar rrugën përpjetë dhe pas pak është futur menjëherë në të djathtë në rrugicën që të dërgon te Rektorati. Kur ka bërë kthim unë atëherë kam filluar lëvizjen mbrapa tij. Më ka ikur një moment gjatë kohës që unë kam nxjerrë telefonin me kontaktu bazën. I dyshuari më ka ikë rreth 1:30 minuta”, shtoi Zogiani.

Në ndërkohë, dëshmitari kishte kontaktuar me bazën, ku edhe e kishte marrë lajmin se në lokalin “Bon Vivant” ka pasur të shtëna me armë dhe njëri nga dy të dyshuarit ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Si rrjedhojë, Zogiani kishte kërkuar nga baza përshkrimin e personit të dyshuar i cili kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes. Përshkrimi i dhënë nga baza rezultoi të jetë i njëjtë me personin të cilin kishte qenë duke e përcjellë.

Zogiani kishte kërkuar asistencën e policisë me uniformë, mirëpo në ndërkohë, i është afruar një koleg me rroba civile, i punësuar në Krime Ekonomike dhe të dy së bashku kanë vazhduar ta përcjellin të dyshuarin.

“Në momentin kur mua më humbi nga sytë personi të cilin e përcjellja, nuk e dija sigurt se a ishte futur në hyrje të banesës apo mbrapa murit të banesës. E kemi analizuar shumë shpejtë me kolegun se uniforma mund të vonohet dhe kemi vendosur të futemi në atë hyrje të banesës për të kontrolluar. Në momentin kur kam dalë nga ana e murit, personin e dyshuar vetëm se e kam parë duke dalë nga hymja. Unë e kam marrë kartën e identifikimit të policisë, iu kam prezentuar personit në fjalë se jam policia. I kam kërkuar të qetësohet, i kam treguar se mund të jesh në rrezik nëse nuk bashkëpunoni me mua. Në atë moment që e kam pasur mundësinë me kapë, e kam kapur nga çanta dhe e kam pyetur se “a e ke armën këtu? dhe më ka thënë ‘po’”, vazhdoi të shpjegonte dëshmitari Zogiani.

Më pas, Albert Zogiani i kishte marrë çantën nga krahu dhe ia kishte dhënë kolegut.

“Më kujtohet krejt çka më ka thënë ai mua dhe ai më ka pyet: a ka vdek bre?”, theksoi Zogiani.

Sipas Zogianit, objekti më i afërt kishte qenë Ministria e Arsimit, ku edhe kishte vendosur ta fuste të dyshuarin. Me të hyrë në një dhomë të vogël në Ministri të Arsimit, Zogiani kishte kontrolluar të dyshuarin më detajisht.

Trupi gjykues i kërkoi dëshmitarit Zogiani të kthehej nga gjykatorja dhe të identifikonte personin të cilin e kishin arrestuar atë ditë. Dëshmitari bëri me dorë në drejtim të të akuzuarit Masar Gërdovci.

Në ndërkohë, sipas Zogianit, ka arritur asistenca dhe për më tutje ka dëshmuar i ftuari i Prokurorisë, Eshref Beqiri, poashtu polic i involvuar në rastin tragjik sipas detyrës zyrtare.

“Kemi qenë shumë afër vendit të ngjarjes dhe përmes radiolidhjes na është dhënë informata që një koleg i yni ka identifikuar një person të dyshimtë që i përgjigjej përshkrimit të personit të dyshuar në vendin e incidentit. Për shkak të numrit të kufizuar të stafit që kam pasur në dispozicion, kam urdhëruar rreshterin që të vazhdojë me procedura e sigurimit të vendit të ngjarjes, ndërsa vetë personalisht duke vrapuar në lokacionin e rrugës “Qamil Hoxha”, ku kolegu ka kërkuar asistencë. Rrugës e kam pranuar lajmin që të dyshuarin e ka vendosur brenda Ministrisë së Arsimit”, tha dëshmitari Eshref Beqiri, i cili po ashtu ka qenë i involvuar në rastin tragjik sipas detyrës zyrtrare.

Dëshmitari tjetër i marrë në pyetje nga prokuroria ishte polici Adem Lutfiu. Me të arritur në vendngjarje, dëshmitari kishte vërejtur një person të shtrirë në tokë afër hyrjes së lokalit dhe një person i cili e kishte identifikuar veten si mjek.

Dëshmitari Lutfiu theksoi se ishte marrë me organizimin fillestar për sigurimin e vendit të ngjarjes, kishte lajmëruar ndihmën e shpejtë dhe i kishte njoftuar njësitë e tjera përkatëse.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin se në bashkëkryerje kanë vrarë Rrahman Ukën, roje e lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë më 13 tetor 2014.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces.

Redaktoi: Naser Sertolli