Për të treten herë Komuna e Gjakovës fut në rend dite diskutimin për Kullën e Sylejman Vokshit

Komuna e Gjakovës për të treten herë radhazi, ka futur në rend dite pikën për shqyrtimin e vendimit të datës 27 tetor 2015, për shpalljen e Interesit Publik të Monumentit kulturor dhe historik ‘Kulla e Sylejman Vokshit’.

Mbledhja e Kuvendit Komunal është thirrur të mbahet të hënën me 4 mars.

E futja e kësaj pike në rend dite, nga opozita në këtë Komunë po shihet si tentim për ‘pazare’ që hap rrugë ndërtimit të objekteve të larta rreth Kullës, ndërsa është paralajmëruar bojkotim i mbledhjes së Kuvendit, nëse pika nuk tërhiqet.

“Nëse kryetari i Komunës, Ardian Gjini nuk e tërheq këtë pikë nga rendi i ditës, asamblistët e Alternativës, VV-së dhe LDK-së do e bojkotojnë Asamblenë Komunale dhe do shqyrtojnë forma tjera të mbrojtjes së Kullës. As Gjakova, as figura dhe vlera e Sylejman Vokshit, nuk mund të dëmtohet nga qeverisja klienteliste e Ardian Gjinit dhe qeverisjes së Aleancës”, thuhet në reagimin e partisë Alternativa, dega në Gjakovë.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë, ka thënë se futja e kësaj pikë në rend ditë për të tretën herë, dëshmon se po bëhet pazar në kurriz të monumenteve historike.

“Tentativa e tretë brenda katër mbledhjeve të Kuvendit të Gjakovës për të zhbërë vendimin për shpalljen e interesit publik në pronat rreth Kullës, dëshmon faktin që pazaret brenda koalicionit qeveritar janë rritur në kurriz të monumentit historik dhe pjesë të trashëgimisë kulturore dhe historike”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Kuvendi Komunal në Gjakovë në mbledhjen e 4 dhjetorit 2018, kishte votuar kundër shfuqizimit të vendimit të vitit 2015, me 16 vota kundër 15 pro dhe një abstenim, ku fillimisht ishin numëruar gabimisht votat e asamblistëve.

https://kallxo.com/komuna-e-gjakoves-votat-per-kullen-e-sulejman-vokshit-u-numeruan-gabimisht/