Për objektin 13 katësh pa leje investitori gjobitet me 7 mijë euro

Prokuroria e Prizrenit, kishte ngritur aktakuzë ndaj dy personave për ndërtimin e objektit trembëdhjetëkatësh pa leje.

Inspektori i ndërtimtarisë në Prizren Enver Bytyqi akuzohet për keqpërdorimin e pozitës së tij zyrtare si inspektor i Ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspektorateve Prizren.

Inspektori Enver Bytyqi, ka mohuar akuzat e Prokurorisë së Prizrenit, duke mos pranuar fajësinë kur u pyet nga gjykatësja e rastit Raima Elezi.

Ndërsa i akuzuari i dytë Feim Hamiti, që është edhe investitori që ka kryer punimet në objektin trembëdhjetëkatësh pa leje, akuzohej për veprën penale të heqjes apo dëmtimit të vulave zyrtare.

Hamiti është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 muaj burgim, por i njëjti i është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 7 mijë eurove.

Feim Hamiti akuzohet se me datë 3 qershor të vitit 2017, ka hequr dhe ka dëmtuar vulën zyrtare të vendosur nga zyrtari i autorizuar me qëllim të sigurimit të objektit.

Pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal të Prizrenit, i akuzuari Feim Hamiti nuk i ka përfillur vërejtjet e dhëna për ndalim të punimeve në objektin e ndërtimit, dhe i njëjti  ka hequr shiritat e vendosur dhe ka vazhduar ndërtimin e objektit pa leje.

Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, i akuzuari Feim Hamiti ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Përderisa i bashkakuzuari Enver Bytyqi nuk e ka pranuar fajësinë për aktakuzën për keqpërdorimin e pozitës së tij zyrtare, gjykimi për të do të vazhdon sipas procedurave gjyqësore.

Ndërsa për të akuzuarin Feim Hamiti, gjyqtarja Raima Elezi,  një ditë pasi që i njëjti kishte pranuar fajësinë, e ka shpallur fajtorë.

Fillimisht gjyqtarja Raima Elezi të akuzuarit Hamiti i shqiptoi dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Skender Morina, dhe me pëlqimin e të akuzuarit Feim Hamiti, ashtu siç e parasheh dhe e mundëson edhe ligji,  gjykata këtë dënim me burg, i zëvendësoi me dënim me gjobë në shumën prej 7.000 euro, të cilin dënim i njëjti u obligua ta paguajë në 3 këste.

I akuzuari Feim Hamiti si investitor i objektit, në kohën kur është marrë në pyetje nga prokuroria, në dhjetor të vitit 2018, kishte deklaruar se prej themelit gjithsej kishte ndërtuar trembëdhjetë kate, i njëjti kishte deklaruar se ndërtimin e ka bërë me kushte ndërtimore.

Gjithashtu i akuzuari edhe në prokurori kishte pranuar se nuk ishte pajisur me leje ndërtimi nga Drejtoria e Urbanizmit në Prizren, dhe se ka pranuar se objektin e kishte ndërtuar në pronë Komunale, dhe një pjesë tjetër ka marrë nga banorët që kanë pasur prona në afërsi.

I akuzuari Hamiti gjithashtu kishte deklaruar se për nevojat e Kuvendit kishte dhënë banesa për kategoritë të ndryshme, dhe se gjithsej Komunës i janë dhënë 13 banesa apo 671 m2.

Ndërsa gjykimi për inspektorin komunal Enver Bytyqi, do të vazhdon me shqyrtimet e radhës, pasi që i njëjti nuk kishte pranuar fajësinë.