Ilustrim: Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti

Për një vit, rreth 29 mijë qytetarë lëshuan Kosovën

Rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar kanë emigruar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, thuhet në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Numri më i madh i tyre ka emigruar në mënyrë legale, por nuk kanë munguar as emigrimet ilegale.

Në vlerësimin “Popullsia e Kosovës 2018”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se përkundër shtimit natyror pozitiv të popullsisë me 18,562 banorë, për shkak të emigrimeve, numri i përgjithshëm i popullatës në Kosovë për vitin 2018 ka shënuar rënie.

Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2018 u zvogëlua për 2,840 banorë apo me 0.16 për qind. Numri i popullsisë në Kosovë për vitin 2018, vlerësohet të ishte 1,795,666 banorë rezidentë.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë pohojnë se rritja e numrit të qytetarëve që po braktisin Kosovën vjen si pasojë e zhgënjimit të tyre me gjendjen politike dhe lidershipin vendor.

Dëshirën për të emigruar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, qoftë për shkollim, punësim apo edhe shpërngulje të përkohshme, e shprehin edhe disa të rinj.

Leonora Krasniqi, ka të përfunduara dy fakultete, at të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe atë të Psikologjisë. Ajo tregon se disa herë ka aplikuar në konkurse të ndryshme në sektorin publik për një vend pune në profesionin e saj, por nuk ka arritur ta sigurojë atë. Kështu që nëse i jepet mundësia, ajo thotë se do të shkonte në ndonjë vend perëndimor për t’u punësuar.

“Deri më tani kam aplikuar në shumë vende të punës dhe nuk më është dhënë ndonjë mundësi që profesionin tim ta ushtroj në Kosovë. Dhe kjo është arsyeja që unë në të ardhmen të mendoj të largohem nga Kosova dhe të shkoj diku tjetër e të ushtroj profesionin tim”, thotë Krasniqi.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian (BE) aplikon regjimin e vizave. Shtetasit e Kosovës për të udhëtuar në këto vende duhet të aplikojnë për viza në misionet diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Kosovë dhe në vendet e rajonit.

Zyrtarë të Bashkimit të Sindikatës se Pavarur të Kosovës , kanë përmendur se gjendja ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë janë arsyet kryesore që po detyrojnë të rinjtë të braktisin Kosovën.

Shkalla e papunësisë në vend sipas shifrave zyrtare, është 26.9 për qind./REL