Për “Kuletën” e Shtetit Diskutohet në Tryezë
Sipas komunikatës së kësaj ministrie në tryezën e diskutimit morën pjesë përfaqësues të Institucioneve vendore, përfaqësues të zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, si dhe koordinatorë të projekteve.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ministria që ai drejton do të jetë e gatshme për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve financiare që Qeveria e Kosovës i ka nënshkruar me Bankën Botërore.
“Ministria e Financave ka të nënshkruar me Bankën Botërore gjithsej nëntë marrëveshje Financiare, ku dy prej tyre tashmë kanë përfunduar. Shtatë nga ato janë me kompozim kredi/grant për financim të projekteve specifike që kontribuojnë në mirëqenien sociale në Kosovë, si dhe një marrëveshje financiare e nënshkruar në fushën e arsimit e cila është në proces të ratifikimit,” tha Hoti.
Ministri tregoi edhe shumën e kredive të nënshkruara me Bankën Botërore. “Deri më tani, shuma totale e kredive të nënshkruara me Bankën Botërore është rreth 85 milionë euro,” shtoi Hoti.
Ai shprehu zotimin se Ministrisë së Financave që projektet të kenë zbatim të suksesshëm brenda kornizës së paraparë ligjore.
Sipas tij çdo shtyrje paraqet kosto më të lartë të huamarrjes si dhe efekt buxhetor dhe bëri të ditur se në bazë të marrëveshjeve financiare gjatë vitit 2016 pritet të finalizohen tri projekte- Projekti për Përforcimin e Sektorit Financiar dhe Infrastrukturën e Tregut, Projekti për Modernizimin e Sektorit Publik, si dhe Projekti për Pastrim të Sektorit të Energjisë dhe Bonifikimit të Tokës.