Drita
Për krizën e Dritës flasin njohës të sportit, presin këndelljen e gjilanasëve
Klubi futbollistik ‘Drita’ duket së më nuk po bën “dritë” i ka humbur shkëlqimi në tetë xhirot e para në Ipko Super Ligën e Kosovës, ku renditet në vendin e nëntë me vetëm shtatë pikë, shkruan KALLXO.com.
‘Intelektualët’ deri më tani kanë pësuar pesë humbje dhe kanë arritur vetëm një barazim dhe dy fitore, gjë që tregon se tek kampionët e Kosovës nuk është duke shkuar asgjë për së mbari.
Për këtë Kallxo.com ka kontaktuar gazetarin e njohur sportiv Arlind Sadiku dhe analistin sportiv Genc Sermaxhaj.
Arlind Sadiku, ka thënë se ky është fillimi më i keq që ka bërë ndonjëherë ndonjë kampion i Kosovës në stinorin pasues pasi e ka fituar titullin. Sipas tij këto pesë humbje do të kenë ndikimin të madh në vijim të kampionatit. Por sipas tij gjilanasit kanë ekip kualitativ, por u mungon diçka më shumë për t’i arritur rezultatet pozitive.
“Ky është fillimi më i keq që ka bërë ndonjë kampion i Kosovës, në stinorin pasues pasi ka fituar titullin. Mendoj që pasojat që kanë lënë këto 5 humbje në skuadër do të kenë ndikim të madh në vijimin e kampionatit. Nuk diskutohet që Drita ka ekipin me shumë kualitet brenda, por dëshira dhe uniteti i vitit të kaluar mungon. Trajneri Shpëtim Duro e ka marrë ekipin në një fazë të ndërlikuar të kampionatit dhe do të ketë shumë punë për të kthyer Dritën në formën më të mirë”, ka thënë fillimisht Sadiku për mediumin tonë.
Arlindi thotë se njëra prej arsyeve që Drita ka formën e dobët është që trajneri i ri Shpëtim Duro ka pak njohuri për futbollistët e tij që i ka në skuadër, pasi në çdo ndeshje bën ndërrime në formacione duke i provuar të gjithë lojtarët. Tutje sipas tij garat ndërkombëtare nuk munden të kenë ndikim në rezultatet negative të tyre.
“Vërehet qartë që trajneri Shpëtim Duro ka pak njohuri për futbollistët që ka në skuadër. Mendoj që do t`i duhet ende kohë që të njoh ekipin në thelb. Në asnjë ndeshje nuk e kemi parë skuadrën e njëjtë të Dritës, gjithmonë ka pasur ndryshime në formacion. Deri tani 21 futbollistë janë provuar për t`u gjetur 11-shja më e mirë. Përndryshe, baza e Dritës është po ajo që u shpallë kampion edicionin e kaluar, duke theksuar mungesën e Kastriot Rexhës që është zëvendësuar nga një tjetër lojtar kualitativ, Betim Haxhimusa, por që ende nuk është ambientuar mirë me ekipin e ri. Jo, nuk mendoj që kanë pasur ndikim në këto rezultate negative paraqitjet në Evropë. Ndoshta fizikisht ekipi ka mundur ta ndjej lodhjen në ndeshjet e para, por tani kjo nuk mund të shërbej si justifikim”, thotë ai për KALLXO.com.
Sadiku po thotë që problemi kryesor që Drita nuk po arrinë të këndellet deri më tani është dorëheqja e trajnerit Bekim Isufi dhe drejtorit sportiv Fisnik Kërçeli. Por sipas tij, nëse Drita arrinë të fitoj ndeshjen e ardhshme ndaj Drenicës si mysafire atëherë do të marrë vetëbesim për të vazhduar më tutje.
“Mendoj që dorëheqja e trajnerit Bekim Isufit dhe e drejtorit sportiv Fisnik Kërçeli, vetëm pak kohë pas atij suksesi të madh në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar tregon që gjërat nuk kanë qenë mirë brenda ekipit. Megjithatë ky është futbolli dhe ngjarje të tilla shohim shpesh edhe në Evropë. Nëse arrijnë të fitojnë ndeshjen e ardhshme ndaj Drenicës në Skenderaj, mendoj që ekipi do të jetë shumë më i qetë në vazhdim, sepse më pas vjen pauza e ndeshjeve ndërkombëtare dhe besoj që kjo do të jetë e mirë se ardhur që trajneri Shpëtim Duro të përkushtohet më tepër në sajimin e problemit që sipas tij është psikologjik”, ka përfunduar Arlind Sadiku.
Analisti sportiv dhe ish-futbollisti Genc Sermaxhaj thotë se secila ekipë e ka një fazë kritike kur futet në krizë të rezultateve dhe lojrëva jo të mira dhe sipas tij Drita shumë shpejt do të dalë nga kjo situatë jo e mirë e rezultateve dhe lojës. Ai cek se edhe për formën jo të mirë ka mundësi të ndikoj edhe lodhja e madhe për shkak të lojrave që i kanë pasur në Ligën e Kampionëve.
“Secila ekip ka fazën e krizës se rezultateve dhe lojërave jo të mira. Ndonjëra futet në jetë krize në mes e dikush në fund të kampionatit. Drita po e shijon këtë formë jo të mirë në fillim të kampionatit e që shumë shpejt do të dalë nga kjo situatë jo e mirë e rezultateve dhe lojës. Gjithsesi mund të ndikojnë shumë faktorë qe Drita nuk është duke shfaqur lojë dhe rezultate. Mund të ndikoj edhe lodhja pas një pauze të vogël që kanë pasur dhe ngarkesat në ndeshjet e Ligës së Kampionëve”, thotë fillimisht Sermaxhaj për KALLXO.com.
Genci mendon ndryshe, ngase sipas tij trajneri Shpëtim Duro në tri ndeshjet që e ka udhëheq skuadrën gjilanase është ballafaquar me kundërshtarë të fortë dhe sipas tij Duro e ka përvojën që ta nxjerr kampionin e Kosovës nga kriza aktuale.
“Trajneri Duro në të tria ndeshjet që e udhëheqi Dritën, u ballafaqua me kundërshtarë të fortë dhe me këto probleme të vogla që e gjeti klubin. Mendoj se Duro ka përvojën për t’a nxjerr Dritën nga kjo situatë e palakueshme. Drita ka futbollistë cilësor, ka trajner të mirë dhe duhet nga kjo ndeshje të tregoj fytyrën e kampionit. Mendoj se duhet të gjenden mënyra tjera motivuese për këta futbollistë sepse vijnë pas një suksesi të madh nga stinori kaluar që u shpallën kampionë dhe me paraqitje të mira në Ligën e Kampionëve. Prandaj mentaliteti ynë ballkanas bie shpejt pas një suksesi të madh, dhe tani duhet gjetur forma të ndryshme për të rikthyer ekipin në formën e stinorit të kaluar”, ka përfunduar Genc Sermaxhaj për mediumin tonë.
Skuadra e Shpëtim Duros të shtunën udhton drejt Skenderajit ku do të përballet me skuadrën e Drenicës me fillim prej orës 15:00.
Drita nuk e ka nisur mirë, por a do të arrij të këndellet në vazhdimsi do ta shohim, por një gjë duket se është e sigurt se kjo skuadër më nuk beson për kreun e tabelës, por të presim deri në fundin e sezonit dhe ta shohim se ku do të përfundojnë kampionët e Kosovës.