Foto: Zyra e Presidentit

Për herë të parë Shpend Maxhuni flet për ndalimin e djalit të tij nga Policia

Drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni është deklaruar për herë të parë në lidhje me ndalimin e djalit të tij, Shpëtimit, nga Policia në fshatin Zllatar të Prishtinës, në veturën e të cilit është gjetur një armë dhe drogë.

Ai ka thënë se çdo njeri është dhe duhet të jetë përgjegjës dhe llogaridhënës para ligjit pavarësisht statusit të tij apo të ndonjë familjari të tij.

“Por, sikur po harrohet se në drejtësi ka parime të njohura siç është ai i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të organeve kompetente”, ka thënë Maxhuni në një përgjigje për televizionin Klan Kosova.

Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës tha se e mbështet dhe inkurajon drejtësinë që të kryejë punën e vet në mënyrë profesionale, të pavarur dhe duke mos u ndikuar nga askush.

“Ashtu siç i kam mbështetur dhe vazhdoj t’i mbështes edhe mediat për punën që bëjnë në interes të publikut”, ka thënë ai në përgjigjen për Klan Kosova.

Natën e 12 tetorit, në makinë, sipas Policisë, po udhëtonin Shpëtim Maxhuni, Selim Ramadani dhe Arlind Kosumi.

Raporti saktëson se policia e kishte ndaluar veturën Golf 4 dhe gjatë bastisjes në jaknën e djalit të Shpend Maxhunit kishte zbuluar revolen e tipit “Zastava” me katër fishekë.

Provat në lëndë saktësojnë se Maxhuni nuk ka mohuar se jakna është e tij dhe revolja ishte gjetur brenda saj. Ai ka thënë në deklaratën në polici se revolja ishte e mikut të tij i cili e kishte harruar në makinë disa orë më parë.

Këtë deklaratë e kishte plotësuar edhe i dyshuari Rinor Maxhuni i cili kishte shkuar në polici ku kishte pranuar se revolja është e tij dhe se të njëjtën e kishte gjetur disa ditë më parë në parkun e Gërmisë nën një ulëse. Ai kishte pretenduar se revolja ishte një shkrepëse.

Asnjëri nuk kanë dhënë detaje para policisë se pse armën ilegale nuk e kishin raportuar në polici po kishin vendosur ta bartnin në makinë e në rrobat e tyre.

https://kallxo.com/provat-e-policise-per-armen-dhe-drogen-ne-makinen-e-djalit-te-shpend-maxhunit/

Djali i Shpend Maxhunit madje ka rrëfyer në polici se revolen ilegale do t’ia kthente shokut të tij kur ai të kthehej prej dajallarëve.

“Nuk e kam njoftuar për arsye që i njëjti më ka njoftuar se po shkon tek dajtë në Istog dhe e kam lënë që kur të kthehet t’ia jap”, ka deklaruar Maxhuni në polici.

Kallëzimi penal është më i qartë sesa komunikata e policisë e lëshuar ditën kur u publikua lajmi për djalin e Maxhunit. Atëkohë komunikata kishte treguar që në veturën ku po lëviznin tre persona përfshirë të dyshuarin Shpëtim Maxhuni është gjetur një revole por pa e saktësuar se Shpëtim Maxhuni kishte pranuar se revolja ishte në jaknën e tij dhe ai kishte plan t’ia kthente mikut të tij.

Arbresha Shala, prokurore në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, do ta hetojë rastin e Shpëtim Maxhunit, djalit të shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni.

https://kallxo.com/zyrtare-djali-i-shpend-maxhunit-dyshohet-per-droge-e-arme/

https://kallxo.com/prokurorja-qe-ia-mbylli-lenden-per-droge-djalit-te-prokurorit-heton-rastin-e-djalit-te-shpend-maxhunit/