Për çka duhet të trajnohen policët, prokurorët dhe gjykatësit sipas Raportit të Progresit?

Sipas Raportit të Progresit të vitit 2019, Kosova ka filluar të bëjë progres sa i përket sundimit të ligjit.

Ky progres thuhet se është bërë përmes reformave legjislative në Kosovë duke përfshirë këtu ndryshimet në Kodit Penal, hetimet dhe ndjekjet penale të zyrtareve të lartë si dhe në ngrirjen e pasurive.

Por sa i përket konfiskimit të pasurisë thuhet se shifrat janë shumë të ulëta.

Sipas Raportit të Progresit për vitin 2019, Kosova pjesërisht i ka përmbushur rekomandimet e Raportit të Progresit të vitit 2018.

Por si çështje shqetësuese edhe këtë vit vlerësohet se është korrupsioni, për të cilin thuhet se është në rritje.

Në bazë të raportit konsiderohet se duhet të ekzistojë një vullnet shumë i fortë politik për të adresuar çështjet e korrupsionit si dhe një përgjigje e fuqishme nga drejtësia sa i përket zgjidhjes së rasteve të korrupsionit.

Raporti parasheh edhe disa kushte të cilat Kosova duhet t’i arrijë me qëllim të përmbushjes së synimeve në sistemin e drejtësisë.

Rritja e numrit të prokurorëve të Prokurorisë Speciale , ndjekja më e madhe e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, trajnimi i prokurorëve për ndjekjen e këtyre veprave si dhe aftësia për të ndjekur dhe hetuar krimet ekonomike dhe konfiskimin e pasurive, e po ashtu edhe mbrojtje efektive e dëshmitarëve, parashihen si synime të cilat Kosova duhet t’i arrijë në fushën e sundimit të ligjit gjatë vitit të ardhshëm.

Raporti i Progresit parasheh nevojën e miratimit të Kodit të Procedurës Penale të rishikuar, duke përfshirë këtu edhe dispozitat mbi pezullimin e zyrtarëve publikë të akuzuar për korrupsion.

Ndërsa situatën në veri të Kosovës në lidhje me korrupsionin, Raporti e paraqet si sfidë të veçantë për institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë.

Gjetjet e Raportit flasin se konfiskimi paraprak i aseteve është rritur, por konfiskimet përfundimtare kanë rënë ndjeshëm.

“Në vitin 2018, vlera e përgjithshme e aseteve të konfiskuara paraprakisht ishte pak mbi 28 milionë euro (krahasuar me 10.9 milionë euro në vitin 2017), ndërsa vlerat e fundit të aseteve të konfiskuara në vitin 2018 arritën në vetëm 49 394 euro, krahasuar me 700 000 euro në 2017”, thuhet në Raport.

E sipas këtij Raporti, zbatimi i duhur i legjislacionit të ri në lidhje me konfiskimin e aseteve do të çojë në një rritje të konsiderueshme të këtyre shifrave.

“Që nga themelimi i saj, Agjencia Kundër Korrupsion ka dërguar më shumë se 700 raste në prokurori, duke përfshirë këtu më shumë se 90 raste të referime në vitin 2018. Prej 80 rasteve të referuara në vitin 2017, prej tyre prokuroria ka ngritur aktakuza në 8 raste, nga të cilat 4 janë në gjyq”, thuhet më tej në Raport.

Por sipas Raportit të Progresit, raportet që AKK-ja ia paraqet prokurorisë duhet të jenë në cilësi më të mirë si dhe prokuroria duhet të përmirësojë kapacitetin e saj dhe të tregojë më shumë gatishmëri në ndjekjen e rasteve që lidhen me korrupsion.

“Gjatë vitit 2018, janë raportuar 385 raste të reja të veprave penale kundër detyrës zyrtare që përfshijnë 753 individë.  6 raste të reja kanë qenë të veprave penale të lidhura me korrupsionin në prokurimin publik dhe 421 raste të reja që lidhen me krimet ekonomike.  Në përgjithësi, në vitin 2018 janë ngritur 325 akuza për korrupsion ndaj 335 individëve. Ndërsa Gjykatat e Kosovës kanë gjetur vetëm 79 persona fajtorë”, tregon Raporti i Progresit për vitin 2019.

Sipas Raportit të Progresit Kosova ka institucione të specializuara për luftimin e korrupsionit siç janë Koordinatori Kombëtar për luftimin e Krimit Ekonomik, Koordinatori Anti-Korrupsion i emëruar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me nga një njësi kundër korrupsionit në secilën seli të Policisë.

Raporti përmend faktin se çdo prokurori themelore e ka nga një prokuror kundër korrupsionit, si dhe dy prokurorë emërohen nga kreu i Prokurorisë Speciale për të trajtuar rastet e korrupsionit në nivel të lartë.

Tutje në Raport përmenden edhe departamentet e krimeve të rënda të gjykatave themelore të Kosovës që deri më tani kanë trajtuar të gjitha rastet e korrupsionit dhe se pas miratimit të Ligjit të ri për gjykatat në dhjetor 2018, departamentet e veçanta në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe në Gjykatën e Apelit do të merren me të gjitha rastet e Prokurorisë Speciale duke përfshirë edhe rastet e korrupsionit.

Ndonëse sipas Raportit të Progresit Kosova ka institucione të specializuara për luftimin e korrupsionit, prapë se prapë raporti parasheh që hetimet dhe aktakuzat duhet të jenë të cilësisë më të lartë si dhe përfaqësimi i këtyre rasteve para gjykatave duhet të përmirësohet ndjeshëm.

Sipas raportit të progresit, Prokuroria Speciale nuk ka staf të mjaftueshëm të specializuar në nivelin e kërkuar të trajnimit dhe kompetencës për t’u marrë me raste të çështjeve financiare, duke përfshirë këtu edhe rastet e prokurimit.

Raporti parasheh nevojën e domosdoshme të organizimit të trajnimeve të përbashkëta për policët, prokurorët dhe gjykatësit në trajtimin e veprave penale të krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Në raport përmendet edhe nevoja për rritjen e numrit të prokurorëve specialë në trajtimin e lëndëve të trashëguara nga EULEX-i.

E ndonëse Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit u rishikua dhe u miratua nga Kuvendi në prill 2018, Raporti i Progresit sheh nevojën e domosdoshme që ky ligj të zbatohet plotësisht, pasi që siç thuhet disa zyrtarë të lartë të nivelit të lartë ende zënë dy ose më shumë poste, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me dispozitat e këtij ligji.

“Kosova duhet gjithashtu të zbatojë masa që lejojnë hetimin efektiv të pasurisë së pashpjegueshme. Ende nuk ekziston një sistem efikas për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pronës së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, origjinën dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë”, thuhet më tej në Raportin e Progresit për vitin 2019.