Pengesat në Tregtinë e Lirë, Takohen Kosova e Shqipëria

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami së bashku me Zëvendësministrin e Financave Agim Krasniqi  kanë pritur sot në takim Zëvendësministren e Financave të Republikës së Shqipërisë Irena Beqiraj.

Zëvendësministri Krasniqi tha se në takim u diskutua për problemet që janë shfaqur ose mund të shfaqen në fushën e biznesit dhe të bashkëpunimit në mënyrë që të jetë më e lehtë për tregtarët të kenë bashkëpunimin për eksport dhe import.

“Qëllimi  i takimit ishte që të vazhdoj bashkëpunimi në mënyrë që tregjet tona me qenë më të hapur më të afërta edhe bizneset tona me pas më lehtë shkëmbimin tregtar”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa Ministrja Hykmete Bajrami tha se Kosova ka disa barriera tregtare me disa vende, sidomos me ato fqinje, përfshirë edhe Shqipërinë, por që ka një vullnet politik për ti zgjedhur këto probleme.

“Ne sot biseduam për çmimet referente të patates dhe zëvendësministrja ashtu siç edhe ministrja Ikonomi  janë zotu më herët që kjo është një nga metodat  e mundshme për t`u implemetuar, mirëpo nuk do të implementimet, do të përdoren gjithmonë çmimet e transaksioneve”, tha Bajrami.

Ajo po ashtu shtoi se  dy drejtorët e doganave  të institucioneve respektive  të cilët  ishin sot  prezent do të ulen dhe brenda një jave dhe do të dakordohen për eliminimin  e çmimeve referente  të gjitha produkteve.

Zëvendësministrja Beqiraj tha se produktet Kosovare janë të mirëpritura në Shqipëri dhe se janë plotësisht të angazhuar për një treg të vetëm.

“Kemi rënë dakord që dy organizatat tona të tatimeve dhe doganave  në çdo vendimmarrje dhe çdo proces me tregtinë midis dy vendeve të dakordojnë paraprakisht”, tha Zëvendësministrja shqiptare.

Ajo shtoi se vullneti politik nga të dyja anët është, qeveria shqiptare zotohet dhe është zotëruar gjithmonë që tregtia me Kosovën është një nga prioritetet tona.