Mike Pence - Foto: REL/Reuters

Pence: ShBA do t’i vendosë sanksione Turqisë nëse nuk lirohet pastori

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione Turqisë nëse nuk lirohet pastori amerikan i cili është burgosur nën akuzat për terrorizëm dhe spiunazh.

Pence tha se nëse Turqia nuk merr masa të menjëhershme për të liruar Andrew Craig Brunson “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione të ashpra ekonomike për Turqinë”.

Brunson, 50 vjeç, pastor i kishës protestante, nga Karolina e Veriut është liruar nga burgu pas një viti e gjysmë, në arrest shtëpiak.

Brunson është liruar në arrest shtëpiak për shkak të problemeve shëndetësore.

Presidenti Donald Trump ka kërkuar lirimin e pastorit disa herë, kështu duke thënë se paraburgimi i pastorit ishte “një turp”. (REL)