Pejë, arrestohet i dyshuari pasi plagosi një grua

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje gjatë ditës është arrestuar një person pasi i njëjti ka shtënë me armë në drejtim të një gruaje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti pas një konflikti verbal ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës femër K-Egjiptiane, ndërsa fizikisht ka sulmuar viktimën mashkull K-Egjiptian, duke e goditur me tytën e revoles. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Pejës dhe janë jashtë rrezikut për jetë”, njofton Policia e Kosovës.

Në njoftimin e forcave të rendit po ashtu thuhet se personit të njëjtë i janë konfiskuar edhe armë gjatë bastisjes në shtëpinë e tij.

“Në vendngjarje dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar: një revole me 13 fishekë dhe 6 gëzhoja të kalibrit 9 mm, një pushkë gjuetie me 6 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, njofton policia.