Foto: Prokuroria e Pejës

Pejë, aktakuzë ndaj të dyshuarit për aksidentin nga i cili vdiq këmbësori

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër personit i cili dyshohet se ka goditur për vdekje një këmbësor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pa i ofruar ndihmë.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri, E.B., ka kryer veprat penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mos dhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.B, me datën 13 prill të këtij viti, rreth orës 02:00, në rrugën “Selman Lajçi” në Pejë, shkel ligjin për rregullat e trafikut, duke i shkaktuar vdekjen të ndjerit A.C, në atë mënyrë, gjersa i pandehuri E.B., ishte me veturën e tij duke qarkulluar në rrugën e lartcekur, nuk përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe i njëjtit me pjesën e përparme të veturës e godet këmbësorin A.C, duke e hedhur 4 metra jashtë rrugës, i cili nga goditjet e marra ndërron jetë, ndërsa i pandehuri E.B., largohet duke mos u ndalur fare në vendin e ngjarjes”, është sqaruar në njoftimin e Prokurorisë për aktakuzën.

Pas ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që ky person të shpallet fajtor sipas ligjit, si dhe ka kërkuar marrjen e patentë shoferit.