Ilustrim

Pejë, aktakuzë ndaj rojes së pyllit për mos kontrollim të personit që preu 12 metra kub dru

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër B.K., për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar’.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K., gjatë kryerjes se pozitës zyrtare në cilësinë e pylltarit të terrenit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Departamenti i Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, me datën 17 shtator të vitit 2018, rreth orës 12:35 në fshatin Hulaj të Deçanit, nuk ka vepruar sipas kompetencave dhe obligimeve të tij. 

“Ashtu që me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe atë Xh.K. (ndaj të cilit është ngritur aktakuza për vepër penale “Vjedhje e Pyllit” nga neni 358 par. 1 të KPRK-së), i cili ishte duke transportuar drurët në sasi prej 12.06 metra kub, të prera në mënyrë ilegale, i pandehuri B.K. edhe pse ishte i obliguar, nuk e ka ndaluar fare për kontroll Xh.K. dhe i njëjti këta dru i ka shitur tek një person tjetër”, njofton Prokuroria Themelore e Pejës.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.