Pejë, 2 vjet burg për 7 kilogramë drogë

Me 2 vjet burg është dënuar nga Gjykata e Pejës Lutfi Kamberaj, i akuzuar për posedim të 7 kilogramëve marihuanë.

Sipas Prokurorisë, më 24 prill 2019, gjatë një bastisjeje nga Policia të akuzuarit i është gjetur droga në bodrumin e shtëpisë.

I pandehuri sot e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Me pranimin e fajësisë janë pajtuar prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gzim Baloku dhe kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj.

Prokurorja gjatë seancës kishte kërkuar  nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke iu referuar rrethanave lehtësuese dhe rënduese.

“Meqenëse i akuzuari e ka pranuar fajësinë dhe ky fajësim mbështetet në provat e lëndës, i propozoj Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor, ta gjykojë në bazë të ligjit dhe ta detyrojë në kompensimin e shpenzime të procedurës penale, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues – konfiskimi i sendeve që kanë qenë objekt i veprës penale”, tha prokurorja.

Po ashtu, ajo tha që si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese të merret shënimi zyrtar i përpiluar në prokurori i cili do të shërbejë si kallëzim penal.

“Si rrethanë rënduese, shënimi zyrtar i përpiluar në prokurori më 9.7.2019 që do të shërbejë si kallëzim penal, ku të dëmtuarës Brikena i ka ardhur një kërcënim nga i akuzuari përmes një personi të tretë nga adresa elektronike”, deklaroi prokurorja Disha-Haxhosaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Kamberaj, avokati Gëzim Baloku lidhur me pretendimin e prokurores që si rrethanë rënduese të merret shënimi zyrtar i përpiluar në Prokurori, ka konsideruar që ai shënim nuk ka të bëjë fare me të akuzuarin dhe si i tillë të mos merret parasysh nga Gjykata.

Po ashtu avokati Baloku i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’ia ndërpresë masën e paraburgimit meqenëse kanë pushuar kushtet në bazë të të cilave është caktuar paraburgimi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sylë Lokaj, të akuzuarit në dënimin me burgim i llogaritet edhe periudha kohore sa ka qëndruar në paraburgim, si dhe i shqiptohet dënimi plotësues, konfiskimi i substancës narkotike dhe një telefoni te llojit “Iphone 5”.

Te akuzuarit Lutfi Kamberaj i është vazhduar paraburgimi deri sa aktgjykimi  të marrë formën e prerë.